Kosova

Vajza e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi nuk lejohet nga e ëma t’i hyjë politikës

Bajram Rexhepi ishte kryeministër i parë i Kosovës i dalë nga institucionet e zgjedhura me votë të lirë pas periudhës së luftës.

Rexhepi i përkiste Partisë Demokratike të Kosovës. Ai vdiq në vitin 2017 pas një sëmundje të shkurtër.

Ai la pas vetës bashkëshorten Shpresën dhe vajzën Vanesën.

Ato sot kanë qenë të ftuara në emisionin “Pasdite” në RTV Dukagjini duke rrëfyer për jetën e tyre dhe synimet për të ardhmen.

Shpresa, bashkëshortja e ish-kryeministrit Rexhepi tregon se janë shumë të lidhura me vajzën por kanë edhe kontradikta mes tyre.

Ajo tregon se Vanesa është shumë e dhënë pas politikës dhe se dëgjon shumë lajme.

Vanesa nga ana tjetër thotë se ka ambicie për politikë pasi edhe përgatitja e saj profesionale si juriste janë të afërta.

“Nuk kam dëshirë që Vanesa të përfshihet në politikë. I kam thënë është zgjidhja jote, por nëse më dëgjon mua nuk kam qejf të merret me politikë”, rrëfen Shpresa, bashkëshortja e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.

Nga ana tjetër, Vanesa thotë se e ëma i ka propozuar disa zgjidhje por se asnjëri nga ta nuk i ka pëlqyer.

“Vetëm politika më fle në zemër…Unë prej se kam lindur jam rritur me politikë e lajme dhe se nuk kam pasur zgjidhje tjetër”, thotë duke qeshur Vanesa, e bija e Bajram Rexhepit.