Kosova

Vajza e deputetit Xhelili (PDK) e lë Infrakosin për avancimin në KOSTT

Agjencia Kundër Korrupsion në vitin 2016 kishte trajtuar rastin e Fëllënza Xhelilit, që atëherë mbante funksionin si anëtare e Bordit në Infrakos e gjithashtu, ishte e punësuar në një pozitë të lartë në Ndërmarrjen Publike “KOSTT”.

Rasti ishte mbyllur, pasi që ishte konstatuar se pozita e saj si Menaxhere e Sektorit të Tarifave në KOSTT, ‘nuk hynte në kategorinë e funksioneve menaxheriale’, raporton KTV.

Megjithatë, Xhelili-Fiqi, që është një prej vajzave të deputetit të PDK-së, Fatmir Xhelili, së fundmi është avancuar në detyrë.

Në maj të vitit 2018, ishte bërë ushtruese e detyrës së Drejtorit të Departamentit për Çështje Rregullative, e tre muaj më vonë, pak para se ndërmarrja të mbetej pa bord, ishte emëruar drejtoreshë e këtij departamenti.

“Pas riorganizimit të KOSTT-it, më 2018, në pajtim me ligjet në fuqi dhe rregulloreve të KOSTT-it, Znj. Xhelili-Fiqi është emëruar në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Departamentit për Çështje Rregullative dhe Tarifa nga data 03 Maj 2018 dhe më pastaj me date 18 Gusht 2018 është emëruar në detyrën e Drejtorit të Departamentit për Çështje Rregullative dhe Tarifa”, ka thënë zyra për komunikim me publikun e KOSTT-it.

Sipas KOSTT-it, me të marrë këtë detyrë, Xhelili-Fiqi, i kishte kërkuar AKK-së opinion ligjor nëse tani ndodhet në konflikt interesi, por kishte mbetur pa përgjigje, çka e kishte çuar në largimin e saj nga bordi i “Infrakos”-it.

“Pas pranimit të detyrës znj. Xhelili –Fiqi, i është drejtuar me shkrim Agjencisë Kundër Korrupsion me kërkesë për opinion ligjor lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit rreth mbajtjes së dy pozitave, por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje nga ky institucion. Znj. Xhelili –Fiqi që nga data 02 prill 2019, nuk është më anëtare e Bordit te Drejtorëve të Ndërmarrjes Infrakos”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it.

Ngjashëm, Agjencia nuk i ka kthyer përgjigje as KTV-së në interesimin për këtë rast.

Për Arton Demhasajan, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Çohu”, Agjencia, do të duhej të konstatonte konflikt të mundshëm interesi, që në rastin kur për herë të parë ishte trajtuar rasti i saj.

KTV-ja në vazhdën e raportimit për praktikat e punësimit të familjarëve të zyrtarëve publikë, kishte raportuar edhe për Albulena Xhelili – Berishën. Ajo mbante pozitën si Drejtoreshë në Departamentin për Licencim dhe Standardizim në BQK, si edhe atë të asistentes në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës.