Bota

Uragani Iota godet Nikaraguan

Një uragan i fuqishëm ka sjellë shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta në Nikaragua, dy javë pasi një stuhi tjetër shkatërruese kishte goditur vendin e Karaibeve, raporton BBC.

Uragani Iota ka goditur si stuhi e kategorisë së katërt në afërsi të qytetit Puerto Cabezas, ku pacientët u desh të evakuoheshin nga një spital i improvizuar.

Banorët janë në strehimore dhe ka brengë për mungesë të ushqimeve.

Stuhia është dobësuar dhe në Honduras pritet të godasë më vonë sot.

Qendra Nacionale e SHBA-së për Uragane (NHC) ka thënë se Iota tash është stuhi e kategorisë së dytë, por ka paralajmëruar se mund të rritet dhe të sjellë erëra katastrofike, vërshime e rrëshqitje dheu.

Iota goditi Nikaraguan të hënën pasdite me erëra me shpejtësi deri 250 kilometra në orë. Në det kishte qenë stuhi e kategorisë së pestë, por u ul në atë të kategorisë së katërt kur arriti në breg.

Në Puerto Cabezas, stuhia shkatërroi shtëpitë nga druri, vërshoi rrugët dhe la vendin pa energji elektrike.

Banorët kanë treguar se stuhia u ka këputur çatitë nga shtëpitë sikur të ishin nga letra.

“Nuk kam ngrënë. Nuk e di se ku do të flejë këtu”, ka thënë 80-vjeçarja, Prinsila Glaso, raporton agjencia AFP.

Image