Kosova

Universiteti publik në Pejë zotohet të krijojë kushte për studentë të verbër

Universiteti publik në Pejë “Haxhi Zeka” dhe qendra e vetme burimore në Kosovë për mësim dhe këshillim për persona të verbër dhe me të pamë të dëmtuar “Xheladin Deda”, në Pejë, kanë nënshkruar këtë javë një marrëveshje bashkëpunimi për angazhim të përbashkët në krijimin e kushteve për shkollimin e lartë të personave të verbër, konkretisht që nga kjo marrëveshje të përfitojnë nxënësit e kësaj shkolle për të verbët dhe me të pamë të dëmtuar që paraqesin dëshirë të studiojnë në njërin prej drejtimeve në këtë universitet, shkruan sot “Koha Ditore”.

Drejtori i qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, Xhavit Kastrati, tregoi për “Kohën Ditore” se kjo marrëveshje dypalëshe e bashkëpunimit ka specifikë lehtësimin e kushteve për studentët e verbër nëse regjistrohen në atë universitet dhe bashkëpunimin përmes projekteve të ndryshme në zhvillimin e kapaciteteve profesionale në universitet dhe në qendrën burimore.

“Ne do t’i japim universitetit këshilla për rregullimin e infrastrukturës në objektet e universitetit për qasjen e personave të verbër. Kurse në të ardhmen të aplikojmë bashkë në projekte ose me mjete vetjake me themelua edhe një dhomë burimore në universitet për studentët e verbër dhe me të pamë të dëmtuar”, thotë Kastrati, sipas të cilit iniciativa për këtë marrëveshje ka lindur para një viti në një tryezë të përbashkët që kanë pasur, dhe tash është formalizuar.

Një marrëveshje të ngjashme të nënshkruar, siç thotë Kastrati, kjo shkollë ende nuk ka me ndonjë universitet tjetër, por, sipas tij, ka gatishmëri edhe të disa universiteteve private në vend që të kenë një marrëveshje bashkëpunimi në rast se regjistrohen në ato universitete persona të verbër.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.