Hi Tech

Uniti One, vetura elektrike për qytet me tri ulëse

Kompania suedeze e veturave Uniti, në fund të vitit 2017 pati paralajmëruar se po zhvillon një model elektrik për qytet por atë tek tani e ka prezantuar.

I quajtur Uniti One, fillimisht do t’u dërgohet blerësve në Suedi dhe Britani të Madhe duke filluar nga mesi i vitit të ardhshëm, transmeton Koha.net. Në tregun britanik, do të kushtojë 15,100 funte (rreth 17,500 euro), duke përfshirë edhe subvencionet për blerjen e veturave elektrike.

Uniti One ofrohet në dy versione, ku versioni bazik ka baterinë prej 12 kWh dhe me një mbushje të baterisë mund të kalojë deri në 150 kilometra, ndërsa versioni me baterinë prej 24 kWh deri në rreth 300 km.

Gjithashtu, Uniti One peshon vetëm 600 kilogramë dhe bateria e tij me mbushësin prej 50 kW mund të mbushet deri 80 për qind për vetëm 17 minuta (te versioni me baterinë prej 24 kWh).

Pavarësisht versionit, kjo veturë elektrike për qytet ka motorin elektrik me kapacitet prej 67 kuajfuqi, sistemin e tërheqjes me rrotat e pasme, si dhe shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë mund ta arrijë për 9,9 sekonda ndërsa atë maksimale deri në 120 km/h.

Uniti One, po ashtu, ka hapësirë për tri persona (dy prapa shoferit) dhe bagazhin e ka me kapacitet prej 155 litra, si dhe vjen me instrument-tabelën digjitale, sistemin për argëtim dhe informim (infotainment) me ekran të ndjeshëm në prekje, sistemin e navigacionit, çatinë panoramike, xhamat e errët, dritat LED, xhamin e përparmë me ngrohje, kamerë të vendosur në pjesën e pasme, etj.