Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë sulme me dronë

Ukraina dhe Rusia shkëmbyen sulme me dronë gjatë natës dhe mëngjesit të 14 qershorit, një ditë pasi Grupi i Shtatë (G7) vendeve më të industrializuara u pajtua t’ia japë Kievit një hua prej 50 miliardë dollarësh duke përdorur asetet e ngrira ruse.

Forcat e Armatosura të Ukrainës (FAU) thanë se kundërajrorët e tyre i rrëzuan të gjithë 17 dronët e llojit Shahed, me të cilët Rusia i sulmoi shtatë rajone ukrainase.

Rusia i shkrepi gjithashtu edhe 17 raketa balistike dhe lundruese, gjysma e të cilave u rrëzuan, sipas FAU-së.

Nuk u raportua për viktima apo dëme.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj i rrëzuan 87 dronë ukrainas në pesë rajone, si dhe në Gadishullin e Krimesë që është uzurpuar nga Kremlini.

Si pasojë e sulmeve kishte pengesa në furnizimin me rrymë në rajonin Rostov dhe u dëmtuan cisternat e naftës në një depo nafte në Vorondezh, sipas autoriteteve lokale.

Disa orë para sulmeve, liderët e G7-ës në Itali u pajtuan t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua.

Ata do t’i shfrytëzojnë të hyrat dhe normat e interesit nga asetet e ngrira ruse prej rreth 260 miliardë dollarësh, shumica e të cilave mbahen në Evropë, për ta siguruar huan prej 50 miliardë dollarëve nga SHBA-ja dhe hua të tjera shtesë nga vendet e tjera partnere.

Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha për gazetarë se marrëveshja “është një shenjë nga demokracitë kryesore të botës se ne nuk do të lodhemi duke e mbrojtur lirinë e Ukrainës dhe se [presidenti rus Vladimir] Putin nuk do të na mposhtë”.

Më vonë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e nënshkruan një marrëveshje sigurie 10-vjeçare, të cilën ata e përshëndetën si një moment historik në marrëdhëniet midis vendeve të tyre.

Biden tha se qëllimi është “të përforcohen kapacitetet mbrojtëse dhe frenuese të Ukrainës”.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara kanë marrë zotime nga pesë vende, të cilat nuk i përmendi, për t’i dhënë Ukrainës raketa për kundërajrorin Patriot, si dhe sisteme të tjera për mbrojtjen ajrore.

Zelensky e quajti marrëveshjen e sigurisë “urë për kalimin e Ukrainës në NATO”.

Go to TOP