OPINION

Ujdi monarkësh apo ujdi tyxharësh politik!?

Shkruan: Florim ZEQA
Sa herë që e godas mirë cakun me shkrimet e mia, të parët që më lajmërohen në inboks (mesengjer) janë zyrtarët e LDK-së. Ashtu ndodhi edhe dje pas publikimit shkrimit “Mashtruesi” Albin apo tradhtari “Putin”!?

Zyrtari në fjalë, pas fjalëve përshëndetëse dhe komplimenteve për shkrimin, nuk e fshehu as dëshirën që së shpejti do të gjendet një zgjidhje e mirë për vendin.

Nuk vonoi shumë dhe zgjidhja e “mirë” për Kosovën ndodhi!

Kurbani i marrëveshjes dhe delegjitimimi i Kuvendit

Edhe pse jo e konfirmuar zyrtarisht, në media, me shpejtësi të dritës u përhap lajmi për tërheqjen e Glauk Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit, për t’i hapë rrugë marrëveshjes për koalicion të zorit!

Bërja e Glauk Konjufcës kurban i një marrëveshje të zorit, jo vetëm që nuk është zgjidhje e mirë, paraqet delegjitimim të institucionit të Kuvendit.

Për të mos shkuar më largë në historinë e zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar i Kuvendit me 26 dhjetor 2019 me votat e LDK-së, po kthehem tek kërkesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës drejtuar LVV-së për tërheqjen e Glauk Konjufcës nga posti i kryeparlamentarit, të cilës lideri i kësaj partie, Albin Kurti ju kishte përgjigjur me një letër të gjatë, në të cilën i kishte thënë këto fjalë Isa Mustafës; ““Nuk mundemi tash t’i delegjitimojmë institucionet demokratike me ujdi monarkësh”.

Pas kësaj përgjigje, askush nuk e kishte pritur një gëlltitje kaq të shpejtë dhe situatë kaq nënshtruese të Albin Kurtit për arritjen e një marrëveshje të zorit me LDK-në!

Kthimi prapa në seancën e 26 dhjetorit 2019

Detyrimi i Glauk Konjufcës për tu tërhequr nga posti i kryeparlamentarit, përveçse dhunim i tempullit të demokracisë, paraqet delegjitimin të institucionit të Kuvendit dhe fyerje e rëndë ndaj shprehjes së lirë e të zgjedhurve të popullit në Parlamentin e Kosovës.

Pas këtij veprimi skandaloz të Albin Kurtit, ditën e hënë të 3 shkurtit 2020 në Kuvendin e Kosovës do të ndodhë një përsëritje e seancës së 26 dhjetorit 2019, përkatësisht një rivotim për postin e kryeparlamentarit i cili do të jetë i baras-vlefshëm me votimin e ‘Qeverisë Kurti’.

Sado që në taborin e LDK-së po e vlerësojnë me nota të larta tërheqjen e kryeparlamentarit, bërja kurban e Glauk Konjufcës është zgjidhja më e keqe për arritjen e një zgjidhje të mirë për vendin.

Me këtë veprim, Albin Kurti u fut edhe në një aventurë e re të paparashikuar në seancën e 3 shkurtit 2020, nga e cila mund të dalë humbësi më i madh i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Delegjitimimi i institucioneve demokratike, përkatësisht delegjitimimi i zgjedhjes në mënyrë demokratike dhe ligjore e kryeparlamentarit paraqet shkelje të rëndë  të parimeve bazike të demokracisë dhe dhunim i shprehjes së lirë të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht arsyetimit të këtij veprimi antidemokratik, kinse me qëllimin e mirë për krijimin e institucioneve demokratike në vend, nuk asryetohet detyrimi i tërheqjes së Glauk Konjufcës për arritjen e një marrëveshje të zorit për kënaqjen e egove për pushtet.

Kthimi prapa në seancën e 26 dhjetorit 2019, e mjegullon akoma më shumë të ardhmen e koalicionit qeverisës LVV-LDK.

Jam nga ata, që prej fillimit kam qenë për një koalicion qeverisës LVV-LDK, për një koalicion të ndërtuar mbi bazën e parimeve dhe mirëkuptimit të plotë mes dy subjekteve, e jo për këtë marrëveshje që erdhi si produkt i shantazhit politik dhe pazareve të pista në orët e fundit.

Kjo marrëveshje e inateve dhe zorit, nuk u bë për të mirën e shtetit dhe as për kthimin e shpresës së qytetarëve, por për kënaqjen e egos për pushtet të një grupi të vogël njerëzish në gjysmë shtet.

Vërtetë nuk e kam as idenë më të vogël se si do të funksionojë dhe sa do të zgjasë kjo martesë e zorit pa dashni mes Albin Kurtit e Isa Mustafës!

Punët që bëhen fshehtas dhe për inati, përveçse nuk sjellin gjëra të mira në jetë, e kanë e kanë edhe një përfundim të keq.

Mbase e mira e kësaj pune është se, disa nga kampi rugovian që deri dje e shanë dhe fyen Albinin në rrjetet sociale, do të fillojnë të dashurohen në të, ashtu siç e deshën Hashim Thaçin në martesë me Isa Mustafën.

Të hënën, tek pasi të votohet kryeparlamentari/rja mund të hapet rruga për votimin e  ‘Qeverisë Kurti’, por për këtë nuk do të mjaftojnë vetëm votat e LDK-së.

Doemos do të vendosë vota e partive minoritare në Kuvend. Mbetët të shihet të hënën, se a do t’i bashkëngjiten partitë e vogla jo serbe koalicionit qeverisës apo do të jetë “Lista Srpska” ajo që do ta zgjidhë “nyjën gordiane” në Kuvend.

Megjithatë, fjalën e fundit pas delegjitimit të institucionit të Kuvendit do ta thotë Gjykata Kushtetuese.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.