SPORT

UEFA thotë se vendimi për anulim të ndeshjeve u takon shteteve

Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, ka thënë se vendimet për anulimin eventual të ndeshjeve, përfshirë edhe ato të plejofit për “Euro 2020”, për shkak të koronavirusit, do të merren nga qeveritë dhe autoritetet shëndetësore.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s u takua të hënën, por vetëm pak minuta diskutoj rreth çështjes së përhapjes së koronavirusit, që ka bërë të anulohen shumë ngjarje sportive në gjithë botën.

Së fundi koronavirusi ka shkaktuar kaos në Serie A, pasi shumë ndeshje janë anuluar nga frika e përhapjes së këtij virusi.

“Ne jemi në kontakt me autoritetet, ne jemi në duart e autoriteteve lokale dhe do të merremi me gjithçka që ato na thonë”, tha një zëdhënës i UEFA-s, raporton “Reuters”. “Nuk është diskutuar shumë për këtë sepse nuk mund të bëjmë shumë për të … është në duart e njerëzve që janë ekspertë”.

Ekipet kombëtare nga i gjithë kontinenti kanë planifikuar ndeshje më vonë këtë muaj, përfshirë këtu edhe ato të plejofit për Evropianin e këtij viti, i cili do të mbahet në 12 qytete. Në plejofin që do të mbahet më 26 dhe 31 mars, do të paraqiten 16 ekipe që luftojnë për katër vende që dërgojnë në “Euro 2020”. Ndër të tjera luan edhe Kosova me Maqedoninë Veriore në Shkup.

Jashtë Evropës, dy raunde të kualifikimeve të Kupës së Botës janë planifikuar gjithashtu për të njëjtën periudhë në Azi dhe Amerikën e Jugut ndërsa ndeshje miqësore janë planifikuar në nivel global. Krahas plejofit dhe Evropianit që mbahet këtë vit, UEFA ka ndeshje të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës që do të luhen këtë muaj.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Organizatën Botërore të Shëndetit dhe autoritetet që merren me organizimin e ndeshjeve”, shtoi zëdhënësi i UEFA-s.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483