OPINION

Udhëtimi me tren nëpër Serbi

Kishte raste kur pasi kishin ngrënë gjysmën e racionit, kujtoheshin t’i ofronin ndonjë gjë bashkudhëtarit që e kishin ngjit me veten. Në atë çast dukeshin si njerëz zemërmirë. Po kur e pyesnin Tjetrin se nga je, po qe se ishte përgjigja e Tjetrit se ishte nga Kosova, ata instiktivisht tërhiqnin dorën, shikonin përtokë dhe thonin me hidhërim “Izvini!” (Më fal!), sigurisht me një ndjejë vetacarimi, pse i kishin ofruar atë copë sallame të derrit njeriut të huaj 

Shkruan: Milazim Krasniqi

Ndonëse kanë kaluar pesëdhjetë vjet nga udhëtimi im i parë me tren nëpër Serbi, shumë gjëra të atij udhëtimi i mbaj mend. Pse? Ndoshta pse në trenat që udhëtojnë nëpër Serbi ka pasur një përsëritshmëri të çuditshme të sjelljeve e të veprimeve të shumë udhëtarëve, të atyre që binin më shumë në sy, ose që syri i fokusonte vetë. Vërtet shumë nga sjelljet dhe veprimet e udhëtarëve serbë nëpër trena, nëpër Serbi, më dukej se përsëriteshin, siç përsëritej e njëjtë dhe gjithnjë e bezdisshme fishkëllima e trenit, ungurima e tij kur ngjitej përpjetë, ose siç dilte tymi i zi nga lokomotiva.

Treni dhe ferma e derrave

Shumë më vonë kam kuptuar diçka më shumë për arsyen e asaj përsëritshmërie monotone të sjelljeve e të veprimeve të atyre njerëzve. Më duket se asyeja fshehtë e atij ngurtësimi është nga mosdalja e tyre për një kohë të gjatë nga një mënyrë fshatare e jetesës, e konceptit të “domaqinit”, e cila u ka prodhuar vetësiguri, vetëkënaqësi dhe përjetim egoist të botës. Për këtë kategori njerëzish dukej sikur ishte njësoj si kur gjendeshin duke punuar ndonjë gjë në fermën e derrave, si kur uleshin në vagonat e trenit të udhëtarëve. Ata ndiheshin në punën e vet, të patrazuar nga shijet e të tjerëve. Kjo kategori fshatarësh serbë, kur bënin dasma, e kishin zakon ta shtrinin vallen në mes të rrugës magjistrale, nga Rashka e deri në paralagjet e Beogradit, në mes të asfaltit, natyrisht duke bllokuar rrugët e duke krijuar kolona të gjata, po duke mbetur të çuditur nëse dikush do të reagonte pse ishte bllokuar në rrugë. “Ku po ngutesh, bre! Ne kemi dasmë! Merre këtë shishe dhe pi për shëndetin e të posamartuarve!”, do të ishte përgjigja e sinqertë e domaqinit të çuditur. Ata ashtu synonin që realitetin e jashtëm dhe shijet e të tjerëve, t’ia përshtatnin shprehive dhe veseve të veta, sepse fjala e “domaqinit” duhet të ishte e mbrama. Fanatizmi serbomadh mund ta ketë tharmin nga kjo mënyrë e përjetimit “domaqinist” të botës, ku realiteti duhet të përshtatet me shprehitë dhe me veset e “domaqinit.” Natyrisht, këtu është fjala për mungesën e imagjinatës, që të gjenden forma të tjera të sjelljes e të veprimeve, në pajtim me realitetet e ndryshuara, gjë që është njëfarë sëmundjeje e ballkanasve, ku serbët janë të pakonkurencë. Mungesa e imagjinatës, që të sillen në tren ndryshe nga ajo se si sillen në vasharin e Bellolinës, ku tregëtohen shpezë e shtazë, pula e derra, fjala vjen, i bën të jenë anakronikë në përsëritjen e vetes së tyre të së kaluarës.

Beteja e Kosovës dhe Ceca 

Kjo shihet qartë edhe nga mënyra se si i evokojnë ngjarjet historike, duke përfshirë me përparësi Betejën e Kosovës dhe martirët serbë të asaj beteje. Për atë ngjarje e për ato figura flasin me emocionalitet të lartë, sikur e gjitha të kishte ndodhur sot dhe të ishte top lajm në tablloidet e kontroluara nga regjimi aktual serb. Njësoj flasin edhe për temat e tjera, për Stefan Nemanjën e car Llazarin, për Karaxhorgjen e Rankoviqin, për Ivo Andriqin e Mesha Selimoviqin, për Cecen e Gjokoviqin. Pothuajse për gjithçka. Këtë perceptim të së kaluarës si të sotme, antropologu Xhek Gudi e ka quajtur ‘amnezi strukturale”, si një varfëri e imagjinatës dhe si deformim i realitetit. Brenda kësaj amnezie strukturale, gjërat duket sikur nuk ndryshojnë kurrë, sikur gjithnjë e kaluara është e tashme. Edhe pse në realitet gjërat ndryshojnë, edhe pse shkon një gjeneratë e vjen një tjetër, me të tjera probleme, e reja mbetet e varur nga narracionet e së kaluarës, peng njësoj, si gjeneratat pararendëse. Këtë prirje për të mbetur peng në evokimin e të kaluarës dhe për ta përsëritur të kaluarën, që nga figura mitologjike e historike e deri te menyja që servohej në tren, e pata vënë re herët, në shkollën e mjekësisë në Prishtinë, ku drejtoresha ishte serbe dhe disa mësimdhënëse i kishim serbe. Kur e mësova serbishten në atë shkollë, fillova ta kuptoj se ajo mënyrë e të shpehurit të mendimeve, përsëritej dhe kishte elemente të përrallës brenda vetes. “Ovo je Srbija!” (Kjo është Serbi!) thoshte mësimdhënësja serbe e frengjishtes, me zë kërcënues, ndërsa ne nuk shihnim në jetën tonë asgjë serbe, përveç zërit të saj cimbues dhe që të skuqte sytë si të dilnin nga fjalët  e saj stërkala të padukshme me lëngun e qepës.

Më vonë, gjatë udhëtimeve që pata bërë me trena nëpër Serbi, ajo skuqje e syve nga qepa m’u bë e pandashme. Për humor, mund të thuhet se qepa që të merr frymën ne erën e saj dhe të skuq sytë me ngacmimin e saj, ishte udhëtari më i rregullt në trenat e udhëtarëve nëpër Serbi. Vërtet, në trenat që udhëtonin nëpër Serbi, vazhdimisht është dëgjuar era e thekshme e qepës, po edhe e hudhrës. (Natyrisht edhe era cimbuese e qorapëve, shumëherë.) Në vagonat e mbushur spic, era e thekshme e qepës dhe e hudhrës të dukej se të vinte në gjumë, më saktë, të trulloste. Sapo hynin në vagon, nga Rashka e tutje, e ndieje se udhëtarëve të rinj u vinte era qepë e hudhër. Sigurisht kishin ngrënë në shtëpi, në vaktin fill para se të merrnin udhën drejt stacionit të trenit. Por, ajo erë qepe e hudhre që u vinte kur hynin në tren, megjithatë ishte më pak therëse, më pak cimbuese, vinte disi më e largët, më e flashkët e mund të shmangej disi mendimi për të. Mund të shikoje nëpër dritaren e trenit, ta hapje pak dritaren gjoja se po shikoje peizazhin, të rrije dy-tre minuta kacavartë në dritare e të mbushje mushëritë me ajër të pastër dhe pastaj të uleshe e të lexoje ndonjë roman kauboj. Por, lehtësimi i tillë nuk do të vazhdonte gjatë. Më e shumta mund të vazhonte dy a tre stacione.

Faqet e skuqura nga ajvari 

Pastaj ndokush nga udhëtarët, dy a tre, si minimum, fillonin të hanin një vakt të ri në vagonë. Nuk mund të ishe indiferent ndaj atyre skenave: burrat përdredhnin shapkat në koka, rregullonin mustaqet me një të shtyrë idhnake me dorë, çlironin rrypin e pantallonave të dhinjta. Ndërsa gratë, me shami me lulelaje e me fustane të zinj, nxirrnin me vendosmëri ushqimet nga shporta dhe i vendosnin në prehërin e vet. Po qe se qëllonte me ta edhe ndonjë fëmijë, ai zakonisht kishte faqe të skuqura, nga ajvari i mbetur. Pasi rehatoheshin mirë e mirë, fillonin e hanin bukë, sallamë derri, dhe gjerbnin shlivovicë, nga ndonjë shishe e vogël, të cilën serbë të pijes e quanin çukan. Pashmangshëm në atë meny ishte ndonjë kokë e madhe qepe, të cilën e prisnin me brisk në katër pjesë dhe e hanin me lezet, më së shpeshti para se të gjerbnin gllënjkën e shlivovicës. Kur qëllonin burrë e grua, këmbënin më pak fjalë, vetëm ndonjë në stilin “merre”, “ama”, “boll”, pa u shikuar në sy, pa bërë ndonjë lëvizje. Pra, edhe në tren “domaqini” tregohej ai që ishte, dominues dhe urdhërues. Ndërsa, kur qëllonin dy a më shumë burra, bënin njëfarë xhurrulldie të hareshme, njëri duke tentuar ta sajdiste tjetrin, njëri duke treguar ndonjë ngjarje ose batutë, një tjetër duke gjetur momentin që ta evokonte qejfet e Karaxhorxhit, kur kishte qenë tregtar i derrave, ndërsa ndonjë tjetër edhe tregimin për dyshimin në tradhtinë e Millosh Obiliqit, deri sa ai po e qëronte një qepë, një natë para betejës, në “darkën e fshehtë”, në Kishën e Samadrexhes, “në tokën e rrafshët të Kosovës.” Lloj lloj batutash, nga e kaluar e mjegullt e mitike, ku më të shumtën qepa përmendej si të ishte personazh historik.

Pasi çonin nga disa gëllënka shlivovicë, bëheshin pak më të hareshëm, fshinin mustaqet me mëngën e setrave, nxirrnin duhanin dhe e mjegullonin vagonin në çast. Pastaj gëllënjkë pas gëllënjeke, i shteronin çukanët dhe i kthenin në shportat që mbanin nën këmbë. Ngadalë fillonin të shtriqeshin, pak këmbët, pak gjunjët, mandej u varej koka në krahun e atij që gjendej afër dhe ia fillonin gërhamës, më fillim më butë e më ritmikisht, po më vonë ajo bëhej e çrregullt dhe e fortë. Pjesa më e madhe e këtij rituali, nga një grup udhëtarësh mund të përmbyllej në largësinë që përthekonte treni ndërmjet Rashkës e Kragujevcit, tjetri ndërmjet Kralevës e Llapovës, ose tjetri ndërmjet Kragujevcit e Beogradit. Por, udhëtarë hynin në çdo stacion e dilnin në çdo stacion, ashtu që ritual i ngjashëm i ngrënies dhe pijes, me qepën si të pashmangshme në atë meny, të shoqëruar pastaj me gjumë e gërhama, përsëritej. Nuanca kishte në ritualin e ngrënie-pirjes, por qepa ishte konstante. Shumë herë edhe hudhra, por jo sa qepa. Qepa ishte pothuajse emërues i përbashkët i vakteve të tyre në trena, si të atyre që dukeshin më të kamur e më të majmur, si të atyre që dukeshin më të varfër e më të zaiftë.

Ata udhëtarë që hanin e pinin lirshëm në vagonë, si të ishin në kuzhinën e vet në ndonjë fshat të thellë të Kapoaonikut, dinin të shfaqeshin edhe bujarë. Kishte raste kur pasi kishin ngrënë gjysmën e racionit, kujtoheshin t’i ofronin ndonjë gjë bashkudhëtarit që e kishin ngjit me veten. Në atë çast dukeshin si njerëz zemërmirë. Po kur e pyesnin Tjetrin se nga je, po qe se ishte përgjigja e Tjetrit se ishte nga Kosova, ata instiktivisht tërhiqnin dorën, shikonin përtokë dhe thonin me hidhërim “Izvini!” (Më fal!), sigurisht me një ndjejë vetacarimi, pse i kishin ofruar atë copë sallame të derrit njeriut të huaj.

Kur kishte shqiptarë në vagon

Ndonjëri që nuk flinte pas vakteve, dilte në korridorin e trenit, për t’i shpi këmbët. Edhe pse dilnin në korridor, ata vazhdimisht shikonin brenda vagonit, sikurisht nga dyshimi se mos ndokush fuste dorën në gjërat e tyre. Dukeshin shumë mosbesues. Duke i lexuar tregimet e Stevan Sremacit dhe Radoje Domanoviqit, romanin e Bora Stankoviqit, komeditë e Branisllav Nushiqit, etj., e pata kuptuar se serbët dinë të jenë cikërrimarë, idhnakë, hakmarrës, paragjykues dhe shumë mosbesues. Në veprat e shkrimtarëve të përmendur po edhe të shumë të tjerëve, lihet të kuptohet se ia kanë me hile fqinji fqinjit, prindi fëmijës e fëmija prindit. Fjala më e famshme e urtë serbe thotë: “Që fqinjit t’i ngordhë lopa”, si dëshirë, pra jo për ta pasur vetë një lopë, po për të mos e pasur as fqinji. Në rastin e udhëtimit në tren, ai dyshim i tyre bëhej edhe më acarues, ngase në tren e në vagonat ku ata ishin, kishte edhe arnautë (shqiptarë.) Në përjetimin e tyre, shqiptarët ishin tinëzarë, hajdut dhe faqezi. Shembullin më të shpeshtë për natyrën e keqe të shqiptarëve mund të ta jepnin duke evokuar Simonidën e Graçanicës, pra, freskën e famshme, së cilës dikush ia ka nxjerrë sytë, ndërsa miti serb thotë se sytë ia ka nxjerrë arnauti (shqiptari.) Bile njëra nga poezitë më të famshme të mbarë letërsisë serbe është poezia “Simonida” e Millan Rakiqit, ku poeti thotë se freskës së famshme sytë ia nxori shqiptari: “ T’i nxorën sytë, freskë e mjerë!Një natë, në pllakën e gurtë/Tek e dinte se askush nuk sheh atëherë/Shqiptari t’i nxori me thikë sytë e urtë! Poezinë ‘Simonida” e mësojnë përmendësh fëmijët serbë në shkolla, ashtu që shumica absolute e serbëve që kanë kryer vetëm shkollën fillore, e kanë përfytyrimin se shqiptarët ia kanë nxjerrë sytë edhe freskës. Prandaj ata shikonin vazhdimisht nga korridori në vagonë, se mos helbete ai shqiptari që ia kishte nxjerrë sytë Simonidës, do t’u vidhte ndonjë gjë, qoftë dhe çukanin e zbrazur.  

Leave a Reply

Your email address will not be published.