OPINION

UÇK në rrjetën e Interpolit

Në disa media u bë i ditur një njoftim, sipas të cilit Organizata e Veteranëve të UÇK-së kishte pretendimin se një anëtar i saj, ishluftëtar, ishte ndaluar nga ana e Policisë shqiptare, sepse ishte i kërkuar nga Interpol-i. Po të njëjtën ditë, Policia e Shtetit e mohoi këtë fakt, por tashmë dihet se ky fenomen nuk është i ri. 

Shkruan: Pëllumb Nako

Kanë qenë të shumtë ish-anëtarët e UÇK– së, të cilët janë ndaluar jo vetëm nga autoritetet tona policore, por edhe nga ato të vendeve të tjera në bazë të kartelave të Interpoli-it.

Mjafton të kujtohet arrestimi për qëllim ekstradimi i ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Francë apo edhe ish-drejtuesi i lartë i UÇK-së, Agim Çejku, në Slloveni dhe njëlloj si ta edhe mjaft personazhe të tjerë më pak të njohur, të ndaluar dhe liruar në vendin tonë, siç kemi të bëjmë edhe me rastin konkret. Kjo gjë do të thotë se drejtësia e shtetit serb duket e venë tërësisht në shërbim të politikës së autoriteteve politike të këtij vendi për t’i trajtuar ish-luftëtarët e UÇK-së si individë që kanë shkaktuar krime ordinere lufte, ka kryer hetimet apo edhe gjykimet e tyre në mungesë dhe për këtë gjë ka venë në lëvizje organizmin policor me shpërndarje më të gjerë në botë, Interpolin.

Me fjalë të tjera, një numër ishluftëtarësh për çlirimin e Kosovës e kanë të pamundur të lëvizin sot në 194 vende të rruzullit tonë tokësor, anëtarë të kësaj organizate, sepse do të kenë andralla me drejtësinë e shtetit serb. Pra, një numër nga ata që kanë venë jetën në rrezik për atdheun e tyre, sot janë të detyruar të mbyllen brenda katër mureve të shtetit të Kosovës. Në këto kushte duket qartë që shteti serb nuk ka humbur kohë të kryejë jo vetëm lëvizjet e shumta me karakter politik në drejtim të Kosovës, por ka vënë në lëvizje gjithë institucionet kombëtare dhe ato ndërkombëtare që atë shtresë individësh, të cilët ne këtu në Shqipëri, atje në Kosovë apo edhe në trojet e tjera shqipfolëse i quajmë atdhetarë, t’i kërkojë në gjithë botën si terroristë apo si autorë krimesh lufte.

Dhe ky kontrast qëndrimesh ndërmjet shtetit serb dhe shqiptarëve këtej dhe andej kufirit për një PËLLUMB NAKO numër ish-ushtarësh të UÇK-së kthehet në një ngërç të rëndë politik, me ndryshimin e vetëm se shteti serb di të mësyjë edhe me institucionet ndërkombëtare kurse shqiptarët e të dyja vendeve mbeten më së shumti brenda deklarimeve politike që vërtet të mallëngjejnë, por nuk zgjidhin asgjë. Ngërçi merr peshë të mëtejshme politike, sepse pavarësisht se në plan të parë duket si një çështje institucionesh të pavarura nga politika, siç mund të pretendohet për drejtësinë e këtij vendi, por heqja dorë nga gjykimi i ish-luftëtarëve do të thoshte njohje e përpjekjeve të UÇK-së për pavarësinë e Kosovës.

Dhe këtë terren për heqjen dorë nga drejtësia në përndjekjen së ish-luftëtarëve të UÇK-së e krijon politika serbe, jo vetëm duke mos trysnuar drejtësinë e vendit, por edhe duke marrë masa legjislative për të pamundësuar ndjekjen e tyre penale. Përpos këtyre, qëndron edhe një fakt tjetër që politika serbe luan me drejtësinë politikisht, sepse nga njëra anë kemi një shtet serb që kërkon ish-luftëtarët e UÇK-së në mbarë rruzullin tokësor dhe jo Presidentin e këtij vendi dhe nga ana tjetër kemi një gjykatë ndërkombëtare, që thërret pikërisht Presidentin e Kosovës për të njëjtën gjë që Serbia kërkon të tjerët.

Ndërkohë, pjesa që lidhet me institucionet e vendit tonë, duket që ato nuk e kanë në asnjë çast në vëmendje problemin, por kujt i bie mbi kurriz, si në rastin konkret Policisë së Shtetit, shpesh detyrohet të bëjë zgjidhje gjysmë ilegale që shoqërohen me përgënjeshtrime, sikur të kemi frikë që jemi vend i pavarur. Vendi ynë duhet të deklarohet politikisht hapur që nuk i njeh vendimet e arrestit të drejtësisë serbe për ish-ushtarët e UÇK-së dhe jo të fshihet pas disa përgënjeshtrimeve të trasha policore. Ky qëndrim ka mbështetje jo vetëm politike, por edhe ligjore. Nëse dikush i UÇK-së do të arrestohej për llogari të Serbisë, në fund ekstradimi i tij vendoset politikisht nga Ministria e Jashtme. Rastet e mosekstradimit të Ramush Haradinajt nga Franca dhe e Çejkut nga Sllovenia e dëshmojnë faktin se vendimet e arrestit të autoriteteve serbe ndaj ish-luftëtarëve të UÇKsë kanë karakter politik.

E njëjta gjë edhe për ata ish-luftëtarë që për nga fama kanë mbetur anonimë, por jetën e kanë vënë njëlloj në rrezik. Në gjithë këtë skenë të koklavitur ndërkombëtare ku luhet ndërmjet politikës si politikë dhe politikës penale, shkëlqen me shëmtimin e tij Shengeni Ballkanik i Kryeministrit tonë. Shengeni i tij asnjëherë nuk u shfaq i qartë në tërësinë e hapave dhe marrëveshjeve që do të materializonin vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar hapësirën e përbashkët. Kjo do të krijonte mundësinë për publikun të njihte atë çfarë do t’i ofrohej. E vetmja gjë që prodhoi Shengeni politik, ishte evidentimi i Kosovës si bojkotuese, dhe i Serbisë së mbështetëse e flaktë. Ndërkohë, në gjithë daljet publike të të tërë liderëve që u mblodhën disa herë, nuk u pa ndonjë deklarim konkret sesi do të garantohej siguria në këtë hapësirë të përbashkët.

Nuk u pa asnjëherë se cili ishte profili i këtij Shengeni Ballkanik, sepse ai Europian është i qartë. Nuk ka hapësirë të përbashkët pa siguri të përbashkët. Me fjalë të tjera, as Kryeministri ynë, as ai i Serbisë, nuk folën asnjë fjalë, nuk treguan asnjë projekt rajonal sesi do të zgjidhej çështja ligjore e ish-luftëtarëve të UÇKsë, që një shtet i quan kriminelë dhe dy të tjerë i quajnë atdhetarë, patriotë. Për të krijuar një hapësirë lirë të përbashkët ballkanike, është mjaft radikale që të gjitha palët të kenë të njëjtin qëndrim ligjor ndaj momentin të konfliktit me Serbinë e Milosheviçit.

Pra, ose Serbia të heqë dorë nga përndjekja penale e ish-luftëtarëve, ose dy vendet tona t’i shesin te serbi, pikërisht ata që rrezikuan jetën e tyre për pavarësinë e Kosovës. Hapat që bëri vendi ynë në drejtim të nxitimit për të krijuar Shengenin e famshëm pa sheshuar më parë probleme të tilla siç është rasti i ish-luftëtarëve të UÇK-së, më shumë i shërbeu variantit të dytë.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483