Bota

U zgjodh guvernator, politikani gjerman jep dorëheqje një ditë më pas

Guvernatori i ri i Thuringias, një shtet në Gjermaninë lindore, ka thënë se do japë dorëheqjen pasi ka qëndruar vetëm një ditë në detyrë. Emërimi i tij ngjalli zemërim të gjerë publike pasi fitorja e tij u sigurua nëpërmjet votave të së djathtës ekstreme.

Fillimisht, Thomas Kemmerich, u rezistoi presioneve për të dhënë dorëheqjen, duke thënë se nuk do të bënte asnjë marrëveshje me partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Por të enjten, ai tha se dorëheqja e tij është e pashmangshme dhe tha se do të kërkojë zgjedhje të reja rajonale. Megjithatë, ai nuk e ka përcaktuar se kur do të largohej nga detyra dhe këmbëngul se nuk ka kryer asnjë gabim.

“Bashkë me kolegët e mi, ne kemi vendosur që të kërkojmë shpërndarjen e parlamentit”, thuhet në deklaratën e Kemmerich, një ditë pas zgjedhjes së tij.

“Në këtë mënyrë duam që të shkojmë në zgjedhje të reja, në mënyrë që të largojmë mbështetjen e AfD nga zyra e Kryeministrit.”

Më herët, Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka kritikuar fitoren e tij. Kemmerich, i partisë së Demokratëve të Lirë (FDP) kishte dhe mbështetjen e partisë së Merkelit, duke nxitur kështu një tërmet politik.

Teksa protestuesit vërshuan në rrugët e Berlinit dhe Erfurtit, kryeqytetit të Thuringias, partitë e qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë thanë se tradita e gjatë e përjashtimit të partive të së djathtës ekstreme është thyer.

“Kjo është një ngjarje e pafalshme, kështu që rezultati duhet të përmbyset”, tha Merkel gjatë një konference për shtyp gjatë vizitës së saj në Afrikën e Jugut të enjten.

Udhëheqës të Partisë Kristian-Demokrate (CDU) kanë bërë thirrje për zgjedhje të reja në Thuringia.

Çfarë ndodhi me rezultatin në Thuringia?

Në zgjedhjet shtetërore të tetorit të shkuar, FDP-ja arriti vetëm 5 për qind të votave të duhura për të hyrë në parlamentin rajonal.

Në raundin e tretë, Alternativa për Gjermaninë braktisi mbështetjen ndaj një kandidati tjetër në mënyrë që të mbështeste Kemmerich. Së bashku me votat e CDU-së, ai mundi Bodo Ramelow të Die Linke me vetëm një votë.

Kemmerich tha asokohe se nuk do të formonte aleancë me AfD-në, por rezultati solli zemëratë në politikën gjermane.

Udhëheqësi i AfD-së në Thuringia quhet Bjorn Kocke, një figurë shumë e diskutuar edhe në partinë e tij, retorika e të cilit është krahasuar me atë të Hitlerit.

Paul Ziemiak, sekretari i përgjithshëm i partisë e ka quajtur “një ditë të errët” për shtetin.

Duke kritikuar partinë e tij, ai tha se vendimi ka ndarë Gjermaninë dhe situata është përkeqësuar nga fakti se është lejuar që të zgjidhet një guvernator nëpërmjet “votave të nazistëve”.