Kosova

U sulmua bashkë me bjeshkatarët në Zubin Potok, Kadaj-Bujupi: Institucionet duhet të reagojnë

Sot gjatë ditës janë sulmuar me armë zjarri disa bjeshkatarë të grupit “Kosovo Mountain Club” nga serbët në Zubin Potok pranë kufirit me Serbinë, teksa nga ky incident nuk kishte të lënduar.

Pjesë e këtij grupi ishte edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi e cila tregoi se u detyruan që të ndërrojnë destinacionin.

“Sot në kuadër të organizimit të “Kosovo Mountain Club” bashkë më plotë dashamirë të natyrës, u nisëm drejt majës së Shijak i Bubës në Zubin Potok. Siç u raportua edhe në media ishim cak i sulmit të armatosur nga bandat kriminale atje. Fatmirësisht nuk pati viktima. U detyruam të kthehemi për sot dhe ngjitjen e vazhduam në majën tjetër në Shalë të Bajgorës”.

Kadaj-Bujupi u bëri thirrje institucioneve që të reagojnë dhe të marrin masa për konkrete për ndalimin e sulmeve të vazhdueshme.

“Ngjitjet në majat tona të bukura do t’i vazhdojmë edhe në ditët, javët, muajt e vitet në vijim. Dhe atë në gjithë territorin e Republikës pavarësisht tentimeve qyqare për të na ndaluar! Unë thërras institucionet që të reagojnë dhe marrin masa konkrete përtej fjalëve në mënyre që këto sulme të vazhdueshme dhe kamotshme të ndërpriten sa më parë”, është shprehur ish-deputetja.