Bota

U kritikua për festën e ditëlindjes, Barack Obama merr një vendim të papritur

Disa ditë më parë u raportua se ish-presidenti i SHBA-ve, Barack Obama do të organizonte një festë për 60-vjetorin e lindjes me 700 të ftuar.

U tha se eventi do të organizohej në një ambient të jashtëm këtë të premte dhe do të ndiqeshin të gjitha rregullat e vendosura nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve për shkak të frikës së ekzistencës së variantit Delta.

Në listën e të ftuarve do të ishin edhe Oprah Winfrey, George Clooney e shumë personazhe të tjerë të njohur. Të ftuarve do ju duhej t’i tregonin një koordinatori një test negativ të Covid-19, ose nuk do të bëheshin pjesë e festës.

Por pas daljes së këtij lajmi, Obama mori kritika të shumta nga njerëz të cilët u shprehën se ai nuk po tregon aspak kujdes në këto kohë të vështira. Për këtë arsye, ish-presidenti ka ndryshuar planet dhe ka vendosur që të organizojë një festë më private.

Zëdhënësja e tij Hannah Hankins është shprehur se Obama ka reduktuar numrin e të ftuarve për shkak të rrezikut nga varianti Delta.

“Për shkak të përhapjes së re të variantit Delta gjatë javës së kaluar, Presidenti dhe Zonja Obama kanë vendosur të zvogëlojnë ndjeshëm ngjarjen për të përfshirë vetëm familjen dhe miqtë e ngushtë. Presidenti Obama është mirënjohës për të tjerët që i dërgojnë urimet e tyre të ditëlindjes nga larg dhe mezi pret t’i shoh njerëzit së shpejti”, ka thënë zëdhënësja.