OPINION

U fitua një betejë, por jo edhe lufta!

Shkran: Lirim BEGZATI
Një uri e madhe për ndryshime u shpalos në horizontet e demokracisë dhe të politikës kosovare. Përmes demonstrimit të një akti demokratik konformë vlerave dhe parimeve moderne, ndodhi ajo që pritej dhe nevojitej që kah moti, ajo që nuk mund të shmangej, ajo që e mbanë pra epitetin e ndryshimeve të diktuara nga domosdoshmëria e kohës!

U votua, si zakonisht, pro dhe kundër një politike! Një respekt për një vlerë kaq të vyeshme të votës demokratike, meriton po të njëjtën shkallë respekti, si për “humbësit” ashtu edhe për “fituesit”, aq më tepër e rëndësishme kjo nisur nga fakti se bashkëjetesa e dy protagonisteve të përmendur do të vazhdojë edhe më tutje, me shpresën e një harmonie të ripërtërirë dhe të konsoliduar!

Duket se akterët e një transformimi politik në shoqërinë kosovare ishin ata të cilët nuk mund të vazhdonin të kënaqen me një rreth vicioz, jo pra me një politikë të ngulfatur në kriza të njëpasnjëshme, me një politikë reformash “pa reforma”, me premtime dhe programe idealiste, me patriotizma të llojit të vetë, … e shumë gjëra të tjera, vështirë nganjëherë me i ra në fije! 

Në mungesë të konkretizimeve të gjithë atyre premtimeve dhe programeve aq të përfolura në agjendat politike, përfundimisht dhe gradualisht, të shumtë janë ata që filluan ta gjejnë veten dhe perspektivën e tyre diku jashtë vendit, diku larg vendit të vetë! Një sinjal ky jo vetëm domethënës, por edhe vërtet alarmant!  

Sipas një vizioni neutral, simbolika për ndryshime është ajo e cila sot bie më së tepërmi në sy, ndoshta shumë më tepër se sa emri i një partie apo individi, edhe pse këto procese duken të pandashme.

Lidhur me etapën e radhës, një triumfalizëm i ngutur apo i tepruar nuk iu shkon me siguri përshtati as demokracisë dhe as nevojave të kompromiseve të domosdoshme për jetësimin e reformave të premtuara dhe të domosdoshme të cilat e presin vendin. Edhe një eufori e ngutshme nuk do te ishte e dobishme. Nuk jetojmë në një vend ku çdo gjë do të duhet të fillojë që nga e para!

Do të kërkohet gjithsesi bashkëpunimi dhe bashkëjetesa me të tjerët, qoftë brenda qoftë jashtë vendit! Është e pamundur të imagjinohet që konteksti aktual i Kosovës do të duronte një qeverisje politike e cila nuk do ndërtohej në baza të bashkëpunimeve dhe respektit të ndërsjellë.

Nëse demokracia e bëri punën e vetë, bile në përputhje me kërkesat që dalin nga nevojat e ndryshimeve, tani mbetet që e gjithë kjo të kurorëzohet me procese të tjera të ndërtuara në baza të nderit, të respektit, të kompromiseve politike dhe sidomos të nevojave dhe interesave të popullatës së vendit. 

Shpresohet gjithashtu se disa punë të mëtutjeshme nuk do të dominohen nga inatet e ditës apo ato “tradicionale”. Pa asnjëfarë hezitim, ky vlerësim bazohet në disa përvoja të hidhura nga e kaluara. Por, çdo përvojë ngërthen në vete të mirat dhe të këqijat e saj, të cilat në momentin e duhur ballafaqohen domosdoshmërish me reflektimin e arsyes dhe të kohës. Janë pikërisht këto komponentë në të cilat shpresohet se do të identifikohen proceset e ditëve në vijim.

Një emërues i përbashkët për zgjedhjet e ditës së sotme: ufitua një betejë, por jo edhe lufta!