Rajoni

Tuzi në izolim pa kushte për shkak të koronavirusit

E gjithë Komuna e Tuzit, pranë Podgoricës, ka marrë urdhër për t’u izoluar, për shkak të koronavirusit.

Trupi Koordinues i Sëmundjeve Infektive në Mal të Zi urdhëroi që banorët e kësaj komune të qëndrojnë në shtëpitë e veta, pa kushte, pasi të martën, nga 18 raste të reja me koronavirus në Mal të Zi, 15 është thënë se janë nga Tuzi.

“Qytetarët e Tuzit dhe të të gjithë Malit të Zi kanë qenë gjithmonë të mençur dhe të aftë për të duruar dhe mbijetuar, veçanërisht kur ka qenë e vështirë. Kjo është beteja që po e fillojmë sonte. Ne duhet ta fitojmë atë për të mirën e qytetarëve të Tuzit dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve të Malit të Zi”, tha zëvendëskryeministri malazez, Millutin Simoviq, në një konferencë për shtyp.

Kryetari i Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha se nga sonte nis beteja për të ruajtur komunën dhe për të ruajtur Malësinë – rajon ku ndodhet Tuzi.

“Duke u izoluar të gjithë mund ta parandalojmë përhapjen e koronavirusit, mund të mbrojmë të rinjtë dhe të moshuarit. E kemi edhe mbështetjen e shtetit”, tha Gjeloshaj.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Boban Mugosha, tha se situata është shumë e rrezikshme.

“Është një virus shumë infektues që përhapet shumë lehtë dhe mund të infektojë një numër të madh njerëzish”, tha ai.

Në Mal të Zi aktualisht janë 47 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa një pacient ka humbur jetën.