KULTURË

Turqishtja dhe shqipja kanë rreth 5.000 fjalë të përbashkëta

Në qytetin e Shkodrës është zhvilluar konferenca “Turqishtja, gjuha e tolerancës në Ballkan”, që kishte në fokus fjalët e përbashkëta, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve turke dhe shqiptare dhe studiuesve nga vende të ndryshme të rajonit.

Në qytetin e Shkodrës është zhvilluar konferenca “Turqishtja, gjuha e tolerancës në Ballkan”, që kishte në fokus fjalët e përbashkëta, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve turke dhe shqiptare dhe studiuesve nga vende të ndryshme të rajonit.

Në këtë konferencë morën pjesë 6 kumtues nga 5 shtete: Turqia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Kumtuesit pjesëmarrës në konferencë ishin Kryetari i Institutit të Gjuhës Turke, Prof. dr. Gürer Gülsevin, Prof. Lindita Xhanari (Latifi) nga Shqipëria, Leyla Şerif Emin nga Maqedonia e Veriut, Prof. dr. Irfan Morina dhe Prof.as.dr. Elsev Birina Lopar nga Kosova si dhe Prof. dr. Marija Dindic nga Serbia.

Në konferencën që krijoi jehonë në Shkodër dhe në të gjithë Ballkanin, morën pjesë ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë Murat Ahmet Yörük, Sekretarja e Përgjithshme e Prefekturës të Qarkut Shkodër Felek Kasemi, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed Sytari, Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” Prof. dr. Adem Bekteshi, përfaqësues të institucioneve mediatike, akademikë, drejtues të shkollave, studentë dhe qytetarë të Shkodrës.

Në përshëndetjen drejtuar pjesëmarrësve dhe të ftuarve gjatë fjalës së hapjes drejtori i institutit turk “Yunus Emre”, Shkodër, Zafer Kıyıcı tha se me shtrirjen osmane në rajon mijëra fjalë turke hynë në gjuhët e Ballkanit: “Shteti Osman filloi një zhvillim serioz dhe me aktivitete kulturore në rajon në strukturën e tij shoqërore, rendin shtetëror, edukimin dhe filozofinë e pasur të artit. Bashkëjetesa në më shumë se 500 vite ka prekur çdo fazë të jetës dhe kultura është transferuar përmes koncepteve dhe termave në të gjitha fushat. Efekti i turqishtes në gjuhët ballkanike nuk është i kufizuar, vetëm në shkëmbimin e fjalëve, proverbat dhe idiomat turke përdoren në rajonin e Ballkanit, identike ose me disa ndryshime tingujsh, ose duke u përkthyer në gjuhën përkatëse. Përveç kësaj, ne përballemi me fjalë turke në poezi, këngë popullore, madje edhe në këngë popullore që të rinjtë nuk i lënë sot nga gjuha e tyre. Ashtu siç njerëzit e Ballkanit, kur shkojnë në Turqi për pushime apo synime të ndryshme dëgjojnë fjalë që ata i përdorin në përditshmërinë e tyre, gjithashtu edhe ne turqit që jetojmë në Ballkan na bie shpesh të takohemi me fjalë turke që përdoren këtu”.

Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Murat Ahmet Yörük në fjalën e tij përshëndetëse tha se kjo konferencë mbart një kuptim të madh sa i përket lidhjeve gjuhësore dhe kulturore.

“Ne ndajmë elemente të përbashkëta gjuhësore me vendin tonë vëlla Shqipërinë, ku posedojmë një histori të gjatë dhe një prejardhje të gjerë kulturore. Turqishtja dhe shqipja përmbajnë më shumë se katër mijë fjalë, shprehje dhe idioma të përbashkëta. Mund të mendohet se kjo shifër e fjalëve të përbashkëta dyfishohet nëse marrim parasysh vëllezërit tanë shqiptarë që jetojnë në një pjesë të madhe të gjeografisë së Ballkanit. Turqishtja ka një histori rreth pesëshekullore në këtë gjeografi”, tha ambasadori turk.

Ambasadori Yörük theksoi se turqishtja ka lënë gjurmë të thella në Ballkan dhe është pasqyruar në botën e mendimit në rajon. “Një përbërës të rëndësishëm në lidhjen tonë të fortë ende sot me popujt e Ballkanit e krijon edhe prania e fjalëve tona të përbashkëta. Me vëllezërit tanë shqiptarë nuk kemi të përbashkëta vetëm elementët gjuhësore, ne gjithashtu ndajmë edhe kulturën e tolerancës me ta”, u shpreh më tej ambasadori turk.

Konferenca e ndjekur me shumë interes nga të ftuarit, përfundoi me dorëzimin e plaketave për kumtuesit, dhënë nga drejtori i institutit turk “Yunus Emre”.

Top Channel

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.