Bota

Turqia shpreson se skema e “turizmit të shëndetshëm” do ta shpëtojë industrinë e rëndësishme

Në një hotel luksoz në Stamboll, stafi me dorëza dhe maska pastron dhe dezinfekton tavolinat, ndërkohë që po bëhen përgatitje për skemën që në Turqi shpresojnë se do të shpëtojë një pjesë të industrisë së turizmit prej 35 miliardë dollarëve. Turizmi në Turqi, njëjtë si në shumë vende, është goditur rëndë nga koronavirusi.

Programi për “certifikatë të turizmit të shëndetshëm” synon të bind turistët se me gjithë pandeminë, plazhet dhe vendet historike të Turqisë janë të sigurta për t’i vizituar këtë vit. Parashikohen kontrolle rigoroze në aeroporte, në transport lokal dhe në hotele.

“Sa më shumë informata të detajuara dhe transparente që japim, aq më shumë do të fitojmë besimin e turistëve”, ka thënë ministri i turizmit, Mehmet Ersoy për Reuters. Plani i tij është që të hapen të paktën gjysma e hoteleve në këtë vit.

Turqia renditet e gjashta në botë sa i takon ardhjeve turistike. Turizmi përbënë 12 për qind të një ekonomie që po përballet me recesionin e dytë brenda dy vjetëve. Të dhënat e publikuara kanë treguar se pandemia ka bërë që ardhja e të huajve të ulet për 99 për qind muajin e kaluar.

Qeveria turke po lobon intenzivisht për të bindur 70 vende se Turqia do të jetë një destinacion i sigurt pasi gradualisht po zbut masat e bllokimit.

Certifikata e re parasheh kritere për shëndetin dhe higjienën në linjat ajrore, aeroporte dhe në mjetet tjera të transportit. Po ashtu në hotele, restorante e bare. Certifikatat do të ndahen nga institucione ndërkombëtare dhe informatat do të paraqiten për agjencitë turistike dhe do të jenë të qasshme për turistët.

Në hotelin “Four Seasons” në Stamboll, menaxheri i përgjithshëm, Tarek Mourad ka thënë se skema do të ndihmojë për të bindur vizitorët. Ai i vlerëson asete edhe infrastrukturën e kujdesit shëndetësor, aeroportin e ri dhe nivelin e arritur nga Turkish Airlines.

“Nëse i bashkojmë të gjitha këto, kemi mundësi më të mëdha që të riaftësojmë vendin së shpejti”, ka thënë Mourad.

Agjencia TUI ka thënë se ka oferta për udhëtim që nga 15 qershori. Parashikohet që turistët holandez të testohen për virus para udhëtimit dhe që të kufizohen vetëm në hapësirën e hoteleve.

Ersoy ka thënë se qendrat e testimit për COVID-19 do të vendosen në aeroporte.

“Mysafirët që vijnë pa u testuar për 72 orë, do të testohen”, ka thënë ai.

Prej turistëve në aeroporte do të kërkohet të mbajnë maska, ndërsa do të bëhet matja e temperaturës së tyre. Projekti ka marrë përkrahje nga sektori i turizmit, por ka brenga për nivelin e interesit ndërkombëtar.

“Duhet të jemi realistë. Do të jetë proces i ngadalshëm. Hapja e gjysmës së hoteleve në korrik do të ishte sukses shumë i madh”, thotë Erkan Yagci , udhëheqës i një organizate të madhe turistike.