Bota

Turqia sfidon SHBA, mbërrin sistemi rus S-400

Turqia ka marrë tashmë pjesët e para të sistemit rus, të mbrojtjes nga raketat S-400, pavarësisht kundërshtimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ngarkesa e parë arriti në një bazë ajrore në kryeqytetin Ankara, të premten.

“E kemi thënë disa herë. Kjo është një marrëveshje e kryer dhe procesi vazhdon. Ne po koordinojmë procesin”, është shprehur Mevlut Cavusoglu, Ministri i Jashtëm turk.

Lëvizja do të zemërojë akoma më shumë Shtetet e Bashkuara, që e kanë paralajmëruar Turqinë se nuk mund të ketë sistemin mbrojtës anti raketor S-400, në të njëjtën kohë, me avionët ushtarakë amerikanë F-35.

Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë vende aleate të NATO-s, por Turqia po ashtu ka vendosur edhe lidhje më të ngushta me Rusinë.

Ankaraja ka nënshkruar një kontratë për blerjen e 100 avionëve ushtarakë amerikanë F-35 dhe ka investuar shumë në program.

Kompanitë turke prodhojnë 937 pjesë të këtyre avionëve. Por, Turqia ka ndjekur edhe një politikë mbrojtjeje të pavarur, duke tensionuar lidhjet me SHBA dhe Europën.

Ajo ka blerë sistemin e avancuar rus S-400, për 2.5 miliardë dollarë, dhe ka dërguar pjesëtarë të forcave të saj të armatosura në Rusi, për trajnim.

Zyrtarët amerikanë thanë se S-400 nuk përputhet me sistemet më të gjera të mbrojtjes ajrore të NATO – s në rajon.

Zyrtarët thonë se nuk duan që avionët F-35 të jenë afër sistemeve S-400, sepse druajnë se teknikët rusë do të mund të kuptojnë dobësitë e tyre. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.