SPORT

Turqia pothuajse e eliminuar, Uellsi e mund 2-0

Sërish një humbje për Turqinë në Kampionatin Europian. Pritshmëritë për skuadrën e Senol Gunes ishin ndryshe dhe deri tani po zhgënjejnë plotësisht teksa Turqia u mund 2-0 nga Uellsi në ndeshjen e dytë të Grupit A.

Në Baku të Azerbajxhanit, Uellsi tregohet cinik dhe shfrytëzon në mënyrën më të mire rastet edhe pse mund të shënonte më shumë ndërsa Turqia bën lojën.

Rastin e parë të ndeshjes e ka Uellsi në 17’ me Ramsey me kokë që topi në mënyrë fatale nuk shkon në rrjetë pas një ping pongu në zone teksa sërish lojtari i Juventusit humbet edhe në 24’ një rast flagrant vetëm për vetëm me portierin Çakir.

Yilmaz është lojtari më i rrezikshëm për turqit dhe në dy raste mund të shënonte ndërsa në anën tjetër nuk gabojnë uellsianët që gjejnë golin me Aaron Ramsey në 42’. Shënon më në fund mesfushori pas shumë rasteve të humbura.

Fraksioni i dytë i ndeshjes është edhe më i bukur pasi Turqia hapet duke sulmuar dhe lë prapa hapësira që mund t’i shfrytëzojë Uellsi si në 61’ kur fiton dhe një penallti për pengim në zone. Gareth Bale nga pika e bardhë gabon me një gjuajtje skandaloze mbi traun e portës dhe teksa afrohet fundi i ndeshjes Turqia rrezikon të shënojë por nuk ia del. Në fund ka shumë tension në fushë dhe vetëm në një moment arbitri nxjerr 4 kartona për disa lojtarë. Fundi është i hidhur për Turqinë pasi pëson edhe golin e dytë në sekondat e fundit nga Roberts dhe është shumë pranë eliminimit teksa Uellsi bën një hap të madh përpara në Euro 2020.