Bota

Trumpi shkarkon inspektorin që hetonte sekretarin amerikan

Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit amerikan të Shtetit, Steve Linick, është bërë figura e radhës që shkarkohet nga presidenti Donald Trump.

Në arsyetimin e shkarkimit, presidenti amerikan ka thënë se nuk kishte besimin e plotë në të dhe se brenda 30 ditësh ai duhet të lirojë postin.

Linick kishte filluar hetimin ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, për dyshimet se keqpërdori pushtetin, transmeton KOHA.

Demokratët kanë thënë se Trumpi po hakmerret ndaj shërbyesve publikë që dëshirojnë të mbajnë të përgjegjshme administratën e tij.

Pak orë pas njoftimit për shkarkimin e Linkut, Komiteti i Kongresit për Punë të Jashtme ka deklaruar se ai kishte nisur hetimet ndaj Pompeos.

Eliot Engel, kryesuesi i këtij komiteti, ka thënë se presidenti po tenton të mbrojë përkrahësit e tij më të mëdhenj.

Burime të ndryshme brenda administratës kanë deklaruar se Linick po hetonte ankesat ndaj Pompeos, se padrejtësisht i kishte kërkuar stafit që të kryente detyra personale.

Linik, ish-prokuror, në postin e inspektorit të përgjithshëm u emërua nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, për të mbikëqyrur shpenzimet dhe keqmenaxhimet në Departamentin e Shtetit.

Trumpi javë më parë shkarkoi edhe kryesuesin e ekipit të qeverisë për gjetjen e vaksinës. Rick Bright ka kundërshtuar qëndrimin e Trumpit për lirimin e masave kundër koronavirusit.

Shfaq më shumë
//dopansearor.com/4/3473483