Bota

Trump synon fitore në shtetet ku triumfoi më parë, Biden bën thirrje për unitet

Presidenti amerikan, Donald Trump ka mbajtur marshe në tri shtete që i ka fituar më 2016 –Miçigen, Viskonsin dhe Nebraska – duke shpresuar se votuesit ende besojnë që ai është kandidati më i mirë për të luftuar për prodhimin dhe bujqësinë amerikane – dy fusha tejet me rëndësi për këto shtete.

Trump ka nisur ditën e fushatës në Miçigen, duke iu thënë mbështetësve të tij se zgjedhjet e 3 nëntorit “kanë të bëjnë me mbijetesë ekonomike” për shtetin, që zhvillon industrinë amerikane të makinave.

Ai ka thënë se kundërkandidati i tij demokrat, Joe Biden, përkrah marrëveshje tregtare dhe politika, që dëmtojnë industrinë e automobilizimit dhe fusha tjera të prodhimit, ndërkohë që ai ka arritur të rrisë ekonominë para pandemisë.

Presidenti ka thënë se ekonomia shtetërore ka qenë e fuqishme para pandemisë, andaj u ka thënë grave në turmë: “Ne po ua kthejë burrat sërish në punë”.

Presidenti republikan ka kritikuar kufizimet e vendosura nga guvernatorja e këtij shteti, Gretchen Whitmer, demokrate, duke thënë se “shërimi nuk mund të jetë kurrë më i madh sesa vetë problemi”.

Trump më pas ka udhëtuar drejt Viskonsinit, duke arritur atje disa orë pasi zyrtarët e shëndetit publik kanë regjistruar shifra rekorde të viktimave dhe të shtruarve në spital me koronavirus.

Guvernatori i Viskonsinit, Tony Evers, demokrat, ka akuzuar Shtëpinë e Bardhë për heqje dorë nga tentimet për të ndalur virusin dhe ka theksuar se liderët republikanë janë duke bërë deklarata të paqëndrueshme sesi luftohet pandemia.

Evers ka bërë një postim në rrjetin social, Twitter pak para arritjes së Trumpit:

“Nuk ekziston mënyrë për ta zbukuruar këtë – ne jemi duke u përballur me krizë urgjente dhe ekziston rrezik për ju, anëtarët tuaj të familjes, miqtë, fqinjët dhe njerëzit për të cilët ju kujdeseni”.

Presidenti amerikan ka fituar në Miçigen dhe Viskonsin me margjina të ngushta më 2016, mirëpo sondazhet parazgjedhore tani tregojnë se ai gjendet mbrapa Bidenit.

Organizimi i fundit i ditës ka qenë në Nebraska, shtet në të cilin po ashtu ka fituar më 2016.

Të tri shtetet pritet të jenë kyçe për fituesin e pozitës së presidentit.

Sfiduesi i Trumpit, demokrati, Joe Biden, ka mbajtur fushatë në Xhorxhia, shtet që Trumpi e ka fituar më 2016.

Xhorxhia nuk ka votuar për një kandidat demokrat për president nga viti 1992, mirëpo sipas sondazheve gjërat mund të ndryshojnë këtë vit, meqë Biden është duke tentuar të fitojë këtë shtet dhe të rrisë numrin e kandidatëve demokratë për Senat.

“Jam duke garuar si demokrat krenar, mirëpo do të udhëheq si president amerikan”, ka thënë nënpresidenti Biden në Warm Springs, afër pushimores së ish-presidentit amerikan, Franklin Delano Roosevelt, demokrat që ka udhëhequr SHBA-në gjatë Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore.

“Do të punoj me demokratët dhe republikanët. Do të punoj po aq shumë për ata që nuk më përkrahin sikurse për ata që janë për mua. Kjo është puna e presidentit, kujdes ndaj të gjithëve”, ka thënë Biden.

Ai më vonë ka mbajtur një takim edhe në Atlanta, Xhorxhia, qytet kyç me shumicë të popullsisë afrikano-amerikane, e cila shpreson se do të dalë në votime në masë për t’i ndihmuar që ta fitojë gjithë shtetin.

Java e fundit e fushatës zgjedhore është duke vënë në pah shqetësimet për pandeminë e koronavirusit.

Më shumë se 68.5 milionë persona tashmë kanë votuar përmes mundësisë së votimeve të hershme, apo sa gati gjysma e totalit të votuesve më 2016.

Daljet historike në zgjedhje reflektojnë interesat amerikane në këto zgjedhje, si dhe qëllimin e tyre që mos ekspozohen ndaj koronavirusit nëpër qendra të votimit më 3 nëntor.

Demokratët është thënë se janë duke shfrytëzuar më shumë sesa republikanët mundësinë e votimit të hershëm, bazuar në të dhënat e një projekti të zhvilluar për zgjedhjet në Universitetin e Floridas.

Teksa Biden udhëheq në shumicën e sondazheve kombëtare dhe shihet epërsia e tij në shtetet kyçe, fushata e Trumpit është duke pritur rritje të përkrahjes në ditën e zgjedhjeve.

Një kandidati i duhen 270 vota elektorale për të fituar Shtëpinë e Bardhë, të cilat nuk përcaktohen nga vota popullore por fitorja në shtetet individuale.

Numri i votave elektorale, ndërkaq përcaktohet nga numri i popullsisë së një shteti.

Gati të gjitha shtetet amerikane i dhurojnë votat elektorale, kandidatit që fiton me shumicë brenda shtetit.