Bota

Trump: ShBA-ja do të zgjerojë listën e ndalim-udhëtimit me vende të reja

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se administrata e tij planifikon të shtojë disa vende në listën e vendeve të ndalim-udhëtimit.

Ai tha se vendimi përfundimtar do të shpallet shumë shpejt.

“Ju e shihni se çfarë po ndodh në botë, vendi ynë duhet të jetë i sigurt”, tha Trump, gjatë një konference për media në Davos të Zvicrës, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.

Komentet bëhen një ditë pasi mediat amerikane njoftuan se Uashingtoni po planifikonte të shtonte në listë Bjellorusinë, Kirgizinë si dhe katër vende të tjera – Birmaninë, Eritrenë, Nigerinë, Sudanin dhe Tanzaninë.

Lista e vendeve “nuk është ende përfundimtare dhe mund të ndryshohet”, shkruan ueb faqja Politico, e cila tha se një njoftim nga administrata amerikane, pritet të publikohet më 27 janar.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Hogan Gidley, nuk pranoi të jepte ndonjë detaj në lidhje me planet për të zgjeruar listën, por tha që vendimi fillestar kishte qenë “thellësisht i suksesshëm në mbrojtjen e vendit dhe ngritjen e bazës së sigurisë në të gjithë botën”.

Vendimi i parë i presidentit Trump, u lëshua tre vjet më parë, dhe kishte në shënjestër qytetarët e shtatë vendeve me shumicë myslimane, por më vonë ai u modifikua pasi kaloi nëpër sfida ligjore.

Gjykatat përfundimisht lejuan kufizime në hyrjen e disa qytetarëve nga Irani, Libia, Somalia, Siria dhe Jemeni, së bashku me Venezuelën dhe Korenë e Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.