Bota

Trump: Rreziku nga koronavirusi në ShBA, shumë i ulët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se rreziku për popullin amerikan nga koronaviursi “mbetet shumë i ulët” dhe se hapat që i ka ndërmarrë qeveria, e kanë ndihmuar vendin të mbrohet nga shpërthimi global.

“Ne po zhvillojmë me shpejtësi një vaksinë” për virusin COVID-19, tha Trump, por pa dhënë detaje.

“Prioriteti numër një nga këndvështrimi ynë është shëndeti dhe siguria e popullit amerikan”, tha Trump në një konferencë për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë.

Trump tha se ka pasur 15 raste me koronavirus në ShBA, duke mos llogaritur amerikanët e nxjerrë nga një anije e izoluar dhe nga qyteti kinez Vuhan, që është epiqendra e shpërthimit.

Shumica e tyre po shërohen, tha Trump, megjithëse shtoi se njëri “është mjaft i sëmurë”.

Pavarësisht se çfarë ndodh me virusin, ai tha: “Ne jemi plotësisht të përgatitur”.

Trump gjithashtu tha se ai e ka vënë nënpresidentin Mike Pence në krye të përgjigjes së SHBA-së ndaj koronavirusit.

Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Vuhan të Kinës në muajin dhjetor.

Që atëherë, numri i të prekurve në gjithë botën ka kaluar 80,000, ndërsa mbi 2,700 pacientë kanë vdekur – shumica e tyre në Kinë.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.