Bota

Trump në pritje të rezultateve të koronavirusit

Të shtunën Presidenti Donald Trump bëri të ditur se të premten në mbrëmje kishte kryer testin për koronavirus duke shtuar se ai vetë nuk e dinte se kur mund të dalin rezultatet.

Zoti Trump i bëri komentet gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë gjatë së cilës u publikuan të dhënat e fundit mbi situatën e krijuar në vend si rezultat i pandemisë dhe ecurisë së disa masave të marra në kuadër të shpalljes së emergjencës kombëtare.

Të premten në konferencës ku u njoftua emergjenca kombëtare, Presidenti Trump shkaktoi habi kur shtrëngoi duart me një numër drejtuesish në kundërshtim me rekomandimet e zyrtarëve të shëndetit publik, veçanërisht pas njoftimeve se ai vetë ishte ekspozuar ndaj virusit.

Mbrëmë u zbulua se katër anëtarë të një delegacioni brazilian që darkuan me Presidentin Trump fundjavën e kaluar në Mar-A-Lago kanë rezultuar të gjithë pozitivë me koronavirus.

Presidenti Trump u pyet nga gazetarët nëse po tregohej egoist duke mos u testuar.

“Nuk kam thënë se nuk do të testohem… Me të gjitha gjasat, po… Së shpejti… Po punojmë për një axhendë“, u përgjigj ai.

Por më vonë, pas kësaj deklarate mjeku personal i presidentit qarkulloi një letër ku thuhej se zoti Trump ka rrezik të ulët për t’u prekur nga virusi pasi ndërveprimet e tij me zyrtarët brazilianë ishin të kufizuara dhe se ato ndodhën përpara se ata zyrtarë të shfaqnin ndonjë simptomë. Mjeku i presidentit tha gjithashtu se nuk ka nevojë që zoti Trump të futet në karantinë dhe se madje ende nuk sugjerohet një testim i tij për virusin COVID-19.

Por të shtunën ishte vetë presidenti Trump që njoftoi lajmin se të premten në mbrëmje ai kishte kryer testin për koronavirus.