Bota

Trump kritikon OBSh-në

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kritikoi Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke thënë se ajo, në kohën e pandemisë së koronavirusit, është e përqendruar shumë te Kina dhe jep “rekomandime të gabuara”.

“OBSh-ja vërtet ka gabuar”, shkroi Trump në Twitter.

“Për disa arsye, e financuar kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, ajo mbetet e përqendruar në Kinë. Do ta rishikojmë mirë këtë. Për fat të mirë, unë e kam refuzuar këshillën e saj për t’i mbajtur kufijtë hapur me Kinën. Përse na e kanë dhënë një rekomandim aq të gabuar?”, tha Trump.

Kina është vendi i origjinës së koronavirusit, ku rastet e para janë shfaqur në fund të vitit të kaluar.

Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë numrin më të madh të të infektuarve në botë: mbi 383,000.