Bota

Trump jep shenja për garë presidenciale më 2024

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump i është kthyer skenës politike më 28 shkurt, për herë të parë prej kur është larguar nga zyra, duke bërë përpjekje për të fuqizuar pozitën e tij si lider i nevojshëm i Partisë Republikane.

Në fjalimin e tij të parë të madh, nga koha kur Joe Biden ka nisur udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në janar, Trump ka dhënë shenja për garë të mundshme për president më 2024, dhe ka hedhur poshtë thashethemet se planifikon të formojë një parti të tretë.

“Unë do të vazhdoj të luftoj në anën tuaj. Ne nuk do të krijojmë parti të reja”, ka thënë Trump në një fjalim në Konferencën Politike Konservatore në Orlando, Florida.

“Ne kemi Partinë Republikane. Do të jetë e fuqishme dhe e bashkuar si kurrë më parë”, ka shtuar ai.

Trump ka vazhduar të hedhë poshtë humbjen e tij në zgjedhjet e 3 nëntorit dhe ka kritikuar Bidenin për një varg çështjesh, duke thënë se shteti është kthyer nga “Amerika e para në Amerika e fundit”.

“Joe Biden ka pasur muajin e parë më shkatërrues sesa secili president i historisë moderne”, ka thënë Trump.

Për dallim nga disa ish-presidentë tjerë, Trump e ka bërë të qartë se nuk ka qëllim që të largohet nga skena politike apo të ndalë kritikat për pasardhësin e tij.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk do t’iu kushtojë shumë vëmendje deklaratave të Trumpit.

“Fokusi ynë nuk është ai se çfarë është duke thënë presidenti Trump”, në Konferencën Politike Konservatore, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, para gazetarëve javën e kaluar.

Javët e fundit të Trumpit në zyrë janë përcjellë me kundërshtim të rezultatit zgjedhor dhe trazira në ndërtesën e Kongresit nga mbështetësit e tij, të cilët kanë sulmuar këtë institucion, duke thelluar ndasitë partiake.

Ai është paditur për nxitje të kryengritjes në Kongres, mirëpo është shfajësuar nga Senati.

Trump vazhdon të jetë popullor në mesin e mbështetësve republikanë, mirëpo roli i tij i ardhshëm në parti është i diskutueshëm.

Figura sikurse lideri i pakicës në Senat, Mitch McConnell dhe republikanja numër tre në Dhomën e Përfaqësuesve, Liz Cheney, janë të etur për të zvogëluar ndikimin e ish-presidentit në parti.

Mirëpo Trump ka shfrytëzuar fjalimin e tij për ta paraqitur veten si e ardhmja e Partisë Republikane, pavarësisht pse republikanët kanë humbur jo vetëm Shtëpinë e Bardhë, por edhe të dyja dhomat e Kongresit në zgjedhjet e kaluara.

Në një sondazh joformal të zhvilluar në konferencën me mbi 1.000 pjesëmarrës, ka dalë se 97 për qind e respodentëve e përkrahin punën që ka bërë Trump si president.

Rreth 68 për qind e kanë përkrahur Trumpin për garë më 2024, derisa 32 për qind e të anketuarve kanë kundërshtuar një gjë të tillë apo nuk kanë pasur mendim për këtë çështje.

Në pyetjen nëse gara për zgjedhjet e vitit 2024 do të niste sot dhe Trump do të ishte në garë, 55 për qind e respodentëve kanë thënë se do të votonin për të, derisa 21 për qind kanë përkrahur guvernatorin nga Florida, Ron DeSantis.

Ndonëse është ende herët, ambicia e Trumpit për të garuar edhe një herë tjetër për pozitë të presidentit, mund t’ua kufizojë kandidatëve tjerë gatishmërinë për t’u përgatitur për garën e vitit 2024.

Në klubin e tij Mar-a-Lago në Florida, Trump ka ndërtuar bazën për operacionet e tij politike pas presidencës dhe është duke gjetur kandidatë për Kongres që pasqyrojnë politikat e tij.