Bota

Trump dhe Obama kthehen në shënjestra të njëri-tjetrit në organizime rivale

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe paraardhësi i tij, Barack Obama, kanë nisur sulme verbale kundër njëri-tjetrit në organizime rivale për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Obama ka bërë kritika ndaj Trumpit në pjesëmarrjen e tij të parë fizike në fushatën e ish-zëvëndësit të tij sa ka qenë president, Joe Biden.

Duke folur nga Filadelfia, Obama e ka kritikuar Trumpin për gjithçka, duke nisur nga menaxhimi i pandemisë me koronavirus nga ana e tij, për ekonomi të lëkundur, çështje racore dhe kujdes shëndetësor.

Ai po ashtu ka folur për karakterin e Trumpit, duke e konsideruar pasardhësin e tij si “xhaxha të çmendur”, dhe duke e përshkruar si “të paaftë për të kryer punën me seriozitet”.

Në Gastonia të Karolinës Veriore, Trump ka tallur Obaman për parashikim të gabuar të rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2016.

“Askush nuk pati bërë më shumë fushatë për mashtruesen Hillary Clinton, sesa Obama, apo jo?” ka thënë Trump para mbështetësve të tij, të cilët kanë treguar pakënaqësi kur i është përmendur emri kundërshtarit të tij.

“Ai ka qenë gjithandej”.

Ai u ka thënë pjesëmarrësve në organizimin e fushatës së tij, që zgjedhja e votuesve në Amerikën e goditur nga pandemia do të jetë mes “Trumpit për super rimëkëmbje” dhe “Bidenit për depresion të thellë”.

Me më pak se dy javë para ditës së zgjedhjeve, Biden ka përparësi modeste ndaj Trumpit në nivel kombëtar.

Një mestare e sondazheve ka treguar se Biden udhëheq me 8.6 për qind të pikëve në krahasim me presidentin aktual sipas Real Clear Politics.

Mirëpo margjina është më e ngushtë në disa shtete amerikane, të cilat janë kyçe për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Të dy, si Biden, ashtu edhe Trump, janë duke tentuar të fitojnë votën e qytetarëve të Pensilvanisë, një shtet që konsiderohet tejet i rëndësishëm për ta fituar pozitën e presidentit.

Trump pati fituar zgjedhjet në Pensilvani më 2016, duke marrë nga demokratët votat e klasës punëtore.

Aktualisht Biden udhëheq me 3.7 për qind të pikëve në këtë shtet.

Prezenca e Obamas në Filadelfia reflekton rëndësinë e këtij shteti dhe rajonet afër tij për fushatën e Bidenit.

Para fjalimit, Obama ka marrë pjesë në një tryezë të vogël me disa burra afrikano-amerikanë.

Për të kapitalizuar numrin e sondazheve pozitive, demokratët duhet të bindin votuesit që të dalin në zgjedhje.

Obama u është drejtuar edhe votuesve të zhgënjyer, si dhe u ka rikujtuar demokratëve kohën e vitit 2016, kur sondazhet politike tregonin se Hillary Clinton është favorite për të fituar zgjedhjet.

Ajo ka përfunduar duke fituar votat popullore, mirëpo ka humbur në kolegjin zgjedhor ndaj Trumpit, i cili ka fituar në Pensilvani, Miçigen dhe Viskonsin.

“Çfarë bëjmë ne në 13 ditët e ardhshme do të vlejë për dekadat në vazhdim”, ka thënë Obama.

“Fakti që nuk marrim 100 për qind të asaj që duam tani, nuk është arsye për të mos votuar”.

“Nuk më interesojnë sondazhet”, ka thënë Obama.

“Ka pasur një mori sondazhesh herën e kaluar. Nuk kanë funksionuar sepse një shumë njerëz kanë qënndruar në shtëpi dhe kanë përtuar. Jo këtë herë. Jo në këto zgjedhje”.

“Ne duhet të kthehemi si kurrë më parë”, ka thënë ai.

“Ne nuk mund të lejojmë hapësirë për dyshime në këto zgjedhje”.

Obama, një prej figurave më popullore në Partinë Demokratike, ka ndihmuar në mbushjen e boshllëkut të krijuar nga Biden, i cili nga 19 tetor është duke qëndruar në shtëpinë e tij në Delauer.

Zyrtarë të fushatës së tij thonë se ai është duke u përgatitur për debatin e dytë dhe të fundit me Trumpin më 22 tetor.

Senatori, Bernie Sanders, një figurë popullore në mesin e krahut të majtë në mesin e demokratëve, po ashtu do të bëjë fushatë për Bidenin në Pensilvani këtë fundjavë.

Edhe e nominuara për zëvendës-presidente, Kamala Harris do të jetë pjesë e fushatës në Karolinën Veriore.

Faktor kyç i fushatës zgjedhore këtë vit është votimi i hershëm për shkak të pandemisë.

Deri më tani 40 milionë amerikanë kanë dorëzuar votat e tyre, sipas organizatës së pavarur, U.S. Elections Project.

Kjo shifër përbën 30 për qind të numrit total të votuesve më 2016./REL