Bota

Trump: Aziatiko-amerikanët “nuk duhet të fajësohen” për koronavirusin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili është kritikuar për etiketimin e koronavirusit si “virus kinez”, tha se aziatiko-amerikanët nuk duhet të fajësohen për shpërthimin e sëmundjes.

“Është shumë e rëndësishme që ne t’i mbrojmë plotësisht aziatiko-amerikanët”, tha Trump, duke i vlerësuar ata si “njerëz të mahnitshëm”.

Ai i bëri komentet në kohën kur ka gjithnjë e më shumë raportime për sulme verbale dhe fizike ndaj komunitetit aziatik në SHBA, për shkak të pandemisë, shkruan BBC.

Koronavirusi vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara, ku aktualisht janë mbi 43,000 njerëz të infektuar dhe 533 të vdekur.

Në një konferencë për media, javën e kaluar, Trump ka përdorur termet “virus kinez” dhe “virus i Kinës”, duke i hedhur poshtë sugjerimet e gazetarëve se ato janë raciste.

“Vjen nga Kina. Nuk është fare raciste”, ka thënë Trump.

Kina, ku rastet me koronavirus janë shfaqur për herë të parë në fund të vitit të kaluar, i ka kritikuar deklaratat e Trumpit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndërkaq, ka lëshuar një udhëzim kundër “stigmatizimit të komuniteteve të caktuara” kur flitet për sëmundjen.