Bota

Trump arrin në Vietnam për t’u takuar me Kimin

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri verikorean Kim Jong-un, kanë arritur në Vietnam më 26 shkurt, për të zhvilluar samitin e tyre të dytë.

Të dy liderët do të takohen në Hanoi më 27-28 shkurt, për të diskutuar programin bërthamor dhe atë të armëve të Koresë Veriore.

Gjatë këtyre ditëve ka pasur diskutime se të dy liderët mund të pajtohen për t’i dhënë fund edhe zyrtarisht Luftës Koreane, e cila është bllokuar përmes një armëpushimi më 1953.

Trump është nisur në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, me aeroplan derisa Kim ka realizuar këtë udhëtim me tren, përmes Kinës.

Para se të nisej nga Uashingtoni, Trump ka thënë përmes një postimi në Twitter:

“Përmes denuklearizimit të plotë, Koreja Veriore do të kthehet shumë shpejt në superfuqi ekonomike. Pa të, do të jetë pothuajse njëjtë. Udhëheqësi Kim do të marrë një vendim të mençur”.

Duke folur në një takim me guvernatorët amerikanë në Shtëpinë e Bardhë më 25 shkurt, Trump ka parashikuar se takimi do të jetë “i mrekullueshëm”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë për televizionin Fox më 24 shkurt se ai shpreson për arritjen e “hapave funksionalë” në këtë samit.

“Mund edhe të mos ndodhë, unë shpresoj se po”, është shprehur Pompeo.

Autoritetet e Vietnamit kanë premtuar siguri të lartë për këtë ngjarje dhe nuk është bërë publik asnjë informacion.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483