KULTURË

Triumfi i “Cirkut fluturues” në Amerikë

Qysh kur u dha premierë botërore në Estoni, filmi “Cirku fluturues” është mirëpritur nga audienca ndërkombëtare.

Filmi me regji të Fatos Berishës, në listën e trofeve e ka shtuar edhe atë të festivalit ndërkombëtar të filmave në Santa Barbara të Kalifornisë. Në këtë festival, mori çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar, duke mposhtur në garë 11 filma të tjerë.

Festivali amerikan u hap më 15 janar dhe u përmbyll me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku ishin prezentë edhe një ekip nga Kosova.

“Cirku fluturues”, i bashkë financuar nga Qendra Kinematografike, përshkruhet si komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë që ndodh në fund të viteve ’90, në Kosovë, në prag të Luftës.

Prezentë në këtë festival ishin emra të njohur të industrisë kinematografike, përfshirë edhe aktorin Brad Pitt, i cili u nderua me çmimin “Maltin Modern Master Award”.

“Cirku fluturues” mori trofeun e tij të parë, në festivalin “Fabrique du Cinema” në Romë, ku u shpërblye për filmin më të mirë të gjatë të huaj. Shpërblimi për “Cirkun fluturues” erdhi pas premierës së tij botërore në festivalin e kategorisë A, “Tallinn Black Nights Film Festival” në Estoni, vitin e kaluar në edicionin e 23-të ku ishte edhe pjesë e konkurrencës kryesore.

Rolet kryesore në këtë film i luajnë aktorët Armend Smajli në role Tristan Halilaj, Shpëtim Selmani dhe Afrim Muçaj.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.