Kombëtare

Tri subjekte politike garojnë në Podujevë, ja cilat janë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka përfunduar afati për aplikim të kandidatëve të partive politike të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë do të mbahen më 15 mars.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se për garën në Podujevë kanë aplikuar vetëm tri subjekte politike.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të ketë kandidat Nexhmi Rudarin, Lëvizja Vetëvendosje Shpejtim Bulliqin ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës Naim Fetahun.

“Pas përmbylljes së periudhës së aplikimit, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të shqyrtojë të gjitha këto aplikime dhe pastaj do të paraqesë në KQZ rekomandimet lidhur me certifikimin ose jo të ndonjë subjekti politik. Sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja deri më 25 shkurt KQZ-ja përmbyllë procesin e certifikimit”, ka njoftuar KQZ’ja.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës do të mbahen pasi kryetari i deritanishëm Agim Veliu, ka dhënë dorëheqje. Veliu është emëruar Ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e re.