OPINION

Tri histori të Venetos

Nga: Dino Buzzati

Përktheu: Eris Rusi

Një shok nga Vicenza i cili e pat lënë prej kohësh qytetin e tij, më rrëfeu tri histori kureshtare. (Emrat e njerëzve dhe të vendeve këtu jepen të ndryshuar). Më ndodh mjaft rrallë tashmë, më rrëfente, që unë të kthehem në qytetin ku nuk kemi më një shtëpi.

Kur shkoj aty, më mirëpret një kushërirë e largët e pamartuar që jeton e vetme, në një pallat të vjetër melankolik nga anët e Mure Pallamaios. Ky pallat ka një krah të brendshëm që shikon nga kopshti, e ku me sa mbaj mend askush nuk ka jetuar ndonjëherë, as në stinët e ngrohta. Kush e di se përse e quajnë Kullë.

Tanimë është legjendë familjare që në ato dhoma të shkreta vërtitet qëkur një fantazmë: një farë konteshe mitike e quajtur Diomira, e vdekur në kohët e hershme pas një jete mbushur me mëkate.

Thënë kjo, herën e fundit, tre vjet më parë, ndoshta kisha pirë pak, por fakti është që ndihesha në formë dhe i kërkova Emilias të më shtronte të flija në njërën nga dhomat e magjepsura. Ajo, duke qeshur: – Ç’të hipi në mendje? – Sa qeshë fëmijë, – iu përgjigja, – nuk do ta bëja, por me kalin e kohës zhduken këto lloj frikash. Ky është një trill, quaje si të duash, por ma bëj qejfin, të lutem. Vetëm më vjen keq për shqetësimin. – Po të jetë për këtë, – më tha ajo, – s’më shqetëson aspak. Brenda në Kullë ka katër dhoma gjumi dhe që nga koha e stërgjyshërve të mi, janë mbajtur përherë me kujdes, me shtretërit e rregulluar e gjithçka tjetër; i vetmi shqetësim do të jetë pak pluhur përqark.

Ajo jo, unë po, ajo jo, unë po, derisa më në fund vendosi: – Bëj si të duash, Zoti të bekoftë! Vetë ajo më shoqëroi atje tej, me dritën e qiririt, pasi në Kullë nuk qe instaluar kurrë drita elektrike. U gjenda në një dhomë të madhe me mobilie perandorake dhe ndonjë portret antik që s’më kujtohet; mbi shtrat-tenda fatale. Kushërira u largua e pas pak minutash, në heshtjen e rëndë të shtëpisë, dëgjoj një hap në korridor.

Trokasin në derë dhe unë them : “Hyr!”. Është një plakë e buzëqeshur e veshur me të bardha si infermiere; me një tabaka në dorë ku mban një kanë uji dhe një gotë. – Erdha të shoh nëse zotërisë i nevojitet gjë! – Jo, asgjë, shumë e sjellshme, – i përgjigjem. E falënderova për ujin, ndërsa ajo ma kthen thatë: – Si ka mundësi që ju vunë të flini këtu poshtë, me tërë ato dhoma më të rehatshme që ka në pallat? – Nga kurioziteti im.

Në këtë Kullë flitet që banon një fantazmë dhe do të kisha dëshirë ta takoja. E moshuara tundi kokën: – As mos e çoni ndër mend, zotëri. Kohë më përpara, ndoshta, kush e di, por sot nuk janë më kohë fantazmash. Lëre pastaj tani, që këtu poshtë, në qoshe, kanë ndërtuar një garazh. Jo, jo, mund të rrini i qetë zotëri, jo do ta bëni gjumin i vetëm. Ashtu ndodhi, në fakt. Më kapi thuajse përnjëherë gjumi dhe u ngrita kur dielli kish kapërcyer qiellin lart.

Ndërsa po vishesha, megjithatë, duke vërtitur sytë, dalloj që s’janë më tabakaja, kana dhe gota. Vishem, zbres te kushërira dhe i them: – Më fal, por mund ta di kush u fut në dhomën time ndërsa flija gjumë e më mori kanën dhe gotën e ujit? – Cilën kanë? – ia bën ajo. – Cilën gotë? – Ja pra, atë që më solli dje mbrëma një plakëz e sjellshme, e urdhëruar nga ty besoj, pak pasi ti u largove. Ajo më fikson e habitur: – Shiko se do të kesh parë ëndërr. Njerëzit që punojnë në shërbim këtu ti i njeh.

Këtu në shtëpi, plaka të tilla nuk ekzistojnë! Magjistrica Gjyshja imë më tregonte histori, pat qenë një grua e jashtëzakonshme; vetëm 27 vjeçe drejtonte një laborator endësesh damasku në hyrje të Venecias. Një ditë njëra nga vajzat shkoi ta takonte e mbuluar nga lotët. – Ç’ka ngjarë që je shqetësuar kështu, Rita? – dhe ajo i rrëfeu që priste një fëmijë. – Ashtu? Por me cilin? – e pyeti gjyshja ime. – Me Duilion, të nipin e farmacistit. – Ma lër në dorë mua, – thotë gjyshja dhe i lajmëron të tetëdhjetë vajzat, iu shpjegon ngjarjen dhe iu lutet ta ndihmojnë Ritën.

I merr dot me mend tetëdhjetë vajza të shkrehura të gjitha së bashku kundrejt një fatkeqi të gjorë? S’kaloi as një muaji dhe u organizua dasma. Pas shtatë muajsh lindi një fëmijë i mrekullueshëm. Martesa ngjan se shkon për bukuri, në kohët e para rrjedh çdo gjë për mirë. Më pas ai bëhet i heshtur dhe i zymtë, grindet, pi dhe ngelet jashtë natën deri vonë.

Ajo, megjithatë, nuk reagon, sikur të mos vërë re asgjë. Kjo, derisa një mbrëmje, pasi kthehet nga puna, ai pyet: – Çfarë ke përgatitur për darkë? Dhe ajo: – Tani sapo i vura të ziejnë makaronat. – S’dua makarona, – vazhdon ai. – Sonte s’më vjen dëshirë për makarona. Më bëj oriz të bardhë në vend të tyre. Ajo i përgjigjet: – Po nuk ka mbetur më oriz në shtëpi. Dhe ai: – Atëherë dil jashtë që ta blesh. Ajo del, qëndron jashtë as gjysmë ore, por kur kthehet i shoqi është zhdukur.

Gjithë natën ajo mbeti më këmbë në pritje. Por, as ditën tjetër Duilio nuk bëhet i gjallë. Ajo kërkon përqark, por askush nuk di ku ka shkuar. Një ditë, dy ditë, nga i shoqi asnjë shenjë. T’i ketë ndodhur ndonjë fatkeqësi? Rita bën denoncimin te karabinierët. Kalojnë akoma ditë njëra pas tjetrës dhe gruaja dëshpërohet në lot. Më në fund karabinierët e lajmërojnë: – Vërtetuam që yt shoq është nisur më dt. 5 për në Brazil, ja lexo këtu fonogramin nga Genova.

Ia kishte mbathur, pra, një herë e përgjithmonë larg saj. Rita nuk ia del të mësohet me faktin, pa një lek mënjanë, pa punë. Fatmirësisht iu gjend afër ime gjyshe. Kalojnë gjashtë muaj të tjerë dhe ajo i shkoi vizitë në shtëpi. – Ke ndonjë lajm? – Jo, akoma asgjë. Atëherë gjyshja i thotë: – E di si do veprojmë? Këtu duhet të thërrasim magjistricën Bau. Hajt, vishu dhe dalim. Drejtohen te kjo plakë magjistricë vicentine dhe i tregojnë krejt historinë. Magjistrica Bau përqendrohet, më pas i flet Ritës: – Shko matanë, të lutem dhe hidhi një sy pasqyrës. Në dhomën ngjitur gjendet një pasqyrë e madhe dhe e dini çfarë sheh Rita brenda saj?

Dallon burrin e vet, Duilion, nën një pjergull, duke luajtur çakërrqejf qejf me birila. Rita i ulërin me forcë: – Dulio, po ku je? Unë e dëshpëruar, ndërsa ti luan me birila? – Rri e qetë, – përgjigjet magjistrica Bau. – Do ta shohësh që brenda dy muajsh yt shoq do të kthehet. Dhe pas dy muajsh fiks, ja ku e ka, të kthyer në shtëpi.

Dhe, menjëherë e pyet të shoqen, përpara edhe se ta përqafojë: – Më thuaj Rita, çfarë më bëre? – Unë? Asgjë s’të kam bërë. Përse pyet? – Unë po rrija për qejfin tim andej larg, nga anët e Pernambucos, kisha gjetur një punë të mirë dhe një ditë, nën një pjergull po luaja me birila me ca italianë të tjerë, kur papritmas ndjeva diçka në gjoks, si një brerje ndërgjegjeje, një torturë, një zjarr. E nga ai moment nuk gjeta më prehje, s’mendova tjetër veçse të kthehesha. A mund ta di, Rita, se ç’më ke bërë? Mund ta di çfarë më ke kurdisur? – Unë? – u përgjigj ajo qetësisht. – Çfarë mund të bëja unë me oqeanin në mes, një grua e vetme e gjorë e braktisur? Dhe ai: Çfarë më ke bërë, Rita? Dhe ajo: – Asgjë, të betohem, hiç fare.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483