Tre fëmijë plagosen në një sulm në një shkollë në Finlandë

Tre fëmijë të moshës 12-vjeçare janë plagosur gjatë një sulmi me armë zjarri në një shkollë fillore në Finlandë të martën, njoftoi Policia finlandeze.

I dyshuari, një i mitur po ashtu, u arrestua nga policia.

Të plagosurit janë dërguar në spital, tha një zëdhënës i Policisë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Sulmi ndodhi në shkollën fillore “Viertola” në Vanta, një rrethinë e kryeqytetit Helsinki.

Kjo shkolla i ka rreth 800 nxënës nga klasa e parë deri të e nënta, si dhe një staf prej 90 njerëzve, sipas autoriteteve lokale.

“Rreziku i menjëhershëm ka përfunduar”, tha kryetari i shkollës “Viertola”, Sari Laasila për Reuters, duke mos dashur të komentojë më shumë rreth incidentit.

“Dita nisi në mënyrë të tmerrshme. Në shkollën ‘Viertola’ ka ndodhur një incident me të shtëna. Nuk mund ta paramendoj dhimbjen dhe shqetësimin që shumë familje janë duke e përjetuar në këtë çast. I dyshuari është kapur”, shkroi në X ministrja e Brendshme e Finlandës, Mari Rantanen.

Finlanda është përballur me incidente të tilla edhe në të kaluarën.

Më 2007, Pekka-Eric Auvinen i vrau shtatë nxënës, infermieren e shkollës, drejtorin dhe veten me një pushkë dore në shkollën e mesme “Jokela”, afër Helsinkit.

Një vit më vonë, më 2008, Matti Saari, një tjetër student, shtiu me armë në një shkollë profesionale në veriperëndim të Finlandës. Ai i vrau nëntë studentë, një anëtar të stafit të shkollës dhe pastaj veten.

Finlanda e ka ashpërsuar ligjin për armëmbajtjen më 2010. Ajo e ndryshoi edhe moshën e lejuar për armëmbajtje, nga 18 në 20 vjeçe.

Go to TOP