OPINION

Tranzicioni i papërfunduar politik në Kosovë!

Shkruan: Florim ZEQA
Fillimi i tranzicionit politik nga sistemi komunist në atë demokratik në shoqërinë kosovare përshkruhet me gjendjen emocionale të popullatës shqiptare nën periudhën e rëndë të sundimit kolonial të Serbisë, nga e cila as që kishte mundësi të definohej qartë sistemi kapitalist.

Më shumë shpresë nën okupim sesa sot në shtetin e lirë

Shqiptarët e Kosovës përgjatë viteve të ’90-ta udhëtuan në dy binarë paralel; në atë të çlirimit nga Serbia dhe të një kapitalizmi pa kritere të qarta dhe pa perspektivë zhvillimore shkaku i gjendjes okupimit klasik dhe situatës së rënduar socio-ekonomike.

Në këto rrethana as që mendohej për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, por vetëm për çlirim nga pushtuesit dhe mbijetesë.

Pas largimit të qindramijëra punëtorëve nga puna nga regjimi serb, në Kosovë ishte krijuar një gjendje e rënduar sociale, por jo edhe e pa shpresë. 

Falë mobilizimit të popullatës dhe solidaritetit të lartë njerëzorë në njërën anë dhe në anën tjetër të ndihmave të pakursyera nga mërgata e jonë, kemi arritur ta zbutim varfërinë dhe mbajmë gjallë jetën institucionale të shtetit paralel të Republikës së Kosovës në rrethana të okupimit klasik.

Qytetarët, mbanin më shumë shpresë për jetë në Kosovës gjatë okupimit klasik të Serbisë sesa në ditët e sotme 22 vjet pas çlirimit, shkaku i kësaj klase të dështuar politike, e cila ua ka prishur edhe ëndrrat e lërë më perspektivën për të jetuar dinjitetshëm në Kosovën e çliruar!

Mungesa e stabilitetit politik prodhon kriza të vazhdueshme sociale

Pas përfundimit të luftës, fillimi i procesit të privatizimit të aseteve shtetërore dhe publike shkaktoi etjen për pasurim të pajustifikueshëm dhe fitime të shpejta pa mbulesë ligjore të grupeve të caktuara dhe individëve të papërgjegjshëm.

Krizat politike erdhën si produkt i ndërrimit të shpeshtë të pushteteve, të cilat prodhuan numër të madh të politikanëve milionerë.

Qytetarët e lodhur nga krizat e njëpasnjëshme politike dhe institucionale, të lodhur nga korrupsioni dhe krimi i organizuar në nivelet e larta shtetërore, filluan të kërkojnë alternativa të reja për t’i dhënë fund keq-qeverisjes e cila do të shënon fundin e tranzicionit të një kapitalizmi të shfrenuar që nuk njeh rregulla dhe ligje!

Kësisoj krizat politike prodhuan një gamë më të gjërë krizash sociale të cilat shkaktuan krizë të ideve kreative dhe krizë morale të shoqërisë kosovare në përgjithësi. 

Këndellja dhe vetëdijesimi i shoqërisë kosovare

Mosrespektimi i vlerave njerëzore dhe mungesa e meritokracisë e prodhojë një mentalitet të paparë dhe padëgjuar në trojet etnike shqiptare, ku interesi personal mundi çdo vlerë dhe çdo interes të përbashkët qytetarë!

Kështu gradualisht fillojë mbështetja e subjekteve politike dhe politikanëve sipas interesave të ngushta e jo sipas programeve politike dhe integritetit të kandidatëve për deputet, asamble apo kryetarë komunash.

Një logjikë e tillë ka prodhuar një shoqëri pasive, e cila lëvizi vetëm kah interesi personal e jo kah progresi dhe interesi i përgjithshëm shoqërorë!

Është koha që të këndellet dhe vetëdijesohet shoqëria kosovare, që fatin e vendit mos ta lë vetëm në dorën e partie të konsumuara politike por ta hedhë hapin për nxjerrjen e vendit nga duart e kusarëve politikë, për ta përmbyllur procesin e tranzicionit politik dhe kthimin e normalitetit në institucionet shtetërore.

Konsolidimi i shtetit dhe demokracisë është obligim i të gjithëve dhe jo vetëm i politikanëve. Në radhë të parë është detyrë intelektualëve, e njerëzve të ngritur dhe të ditur.

Një ligj të kompletuar për mërgatën tonë

Politikanët në pushtet dhe opozitë i kanë borxh qytetarëve dhe mërgimtarëve krijimin e stabilitetit politik, krijimin e kushteve për jetë normale dhe zhvillim të lirë të veprimtarive afariste konformë ligjeve dhe normave demokratike.

Pushtetarët e rinj e kanë rastin historik që me veprime të përgjegjshme, të krijojnë stabilitet politik dhe ekonomik, të krijojnë infrastrukturë ligjore që mbron pronat dhe pasuritë e ligjshme të qytetarëve, e në veçanti pronat e mërgimtarëve të cilat vodhën dhe plaçkiten pamëshirshëm prej hajdutëve ordinerë të mbështetur nga krimi i organizuar.

Kur jemi në këtë segment, më duhet ta përsërisë për të satën herë dhe t’i drejtohem me kërkesë urgjente ‘Qeverisë Kurti 2’ që ta rregullojë me ligj mbrojtjen e pronave të mërgimtarëve dhe t’i lirojë ata nga tatimi për shtëpitë e  ndërtuara pas lufte, por të pashfrytëzuara, e jo të vrapojë vetëm pas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që mundëson thithjen e votave të tyre për qëllime pushtetore.

Të rregullohet me ligj heqja e haraçit legal 22 vjeçar që ushtrohet ndaj mërgimtarëve në pikat kufitare me policat e sigurimeve, të cilat nuk u garantojnë dhe mbulojnë asgjë. Të hiqet haraçi legal 22 vjeçar ndaj mërgimtarëve në emër të përshpejtimit të nxjerrjes së dokumenteve të udhëtimit si dhe të hiqen të gjitha barrierat burokratike për nxjerrjen e të gjitha dokumenteve për mërgimtarët, të cilët, ditët e çmuara të pushimeve i kalojnë duke pritur para sporteleve të administratës së korruptuar.

Hapja e kapitullit të ri në politik-bërjen kosovare fillon me përfundimin e tranzicionit politik, respektivisht me përmbylljen e epokës së kalimit nga sistemi totalitar në atë demokratik. Se sa jemi afër apo larg këtij tranzicioni politik do ta shohim pas 100 ditshit të parë të ‘Qeverisë Kurti 2’!