SPORT

Transferimet e bujshme në basketbollin kosovar

“Kthimi i mbretit”. Kështu e ka paraqitur klubi i basketbollit Peja transferimin e Dardan Berishës. Peja, më 3 janar, njoftoi për nënshkrimin e kontratës me Berishën, që deri në javët e fundit të vitit të kaluar kishte luajtur për Sigal Prishtinën.

Me Prishtinën nuk ishte ndarë në mënyrën më të mirë, ndërsa kalimi i tij te Peja është vlerësuar prej transferimeve më të bujshme të basketbollit kosovar. Por përfundimisht jo më i bujshmi.

Basketbolli kosovar është në kërkim të namit që e kishte më parë. Kulmi vlerësohet të jetë arritur në edicionin 2003\04, kur gara elitare ishte organizuar jashtë ombrellës së Federatës së Basketbollit të Kosovës. Klubet ishin organizuar në Ligën Profesionale të Basketbollit të Kosovës (LPBK), pas pakënaqësive të mëdha që kishin me FBK-në. Dukagjini i Pejës e kishte fituar titullin atë edicion.

Ka pasur transferime të mëdha edhe atëherë, por ato më të bujshme janë realizuar më vonë.

Në të vërtetë lëvizjet e lojtarëve në basketbollin kosovar janë shumë të shpeshta. Sidomos ardhjet dhe largimet e lojtarëve të huaj janë të pandalshme. Ka plot lojtarë që janë larguar pa lënë gjurmë e disa ende janë në kujtesë të tifozëve.

Për shkak të numrit të limituar të lojtarëve vendorë, lëvizjet e tyre kanë qenë më të pakta. Por, megjithatë, ka pasur të tilla. Dhe kalimi në klubin rival ka bërë bujë të madhe.

Ikja dhe kthimi i Berishës në Pejë dhe drama që shkaktoi lëvizja e Hajrizit

Dardan Berisha kishte udhëhequr Pejën drejt titullit në edicionin 2012\13. Në verën e vitit 2013 kishte kaluar te Prishtina. Ai mbetet prej transferimeve më të bujshme të basketbollistëve kosovarë.

Tifozët pejanë e kishin përjetuar rëndë largimin e Berishës, që për një vit qëndrimi në klub (pa llogaritur fazën fillestare të karrierës), ishte shndërruar në ikonë. Berisha kishte arsyetuar lëvizjen me faktin se Prishtina po fillonte me paraqitje ndërkombëtare dhe kështu do të prezantonte gjithë Kosovën, jo vetëm Prishtinën.

Por ky arsyetim nuk ishte pranuar lehtë nga tifozët pejanë. Pritje të rëndë kishte pasur për Berishën për kohë të gjatë në Pejë. Prej atëherë ai ka luajtur kryesisht te Prishtina, ndonëse ka lëvizur edhe te skuadra të huaja. Prishtinën vazhdimisht e ka udhëhequr drejt trofeve.

Në nëntor, Prishtina e suspendoi, pa njoftuar për masë tjetër, për shkak të një konflikti që kishte pasur në parket me Edmond Azemin. Atij ndërkohë i skadoi kontrata me Prishtinën dhe në fillim të këtij muaji firmosi me Pejën. Fundori Berisha lëshoi një deklaratë publike ku shprehej mirënjohës e falënderues ndaj Prishtinës e tifozëve të saj.

Shfaq më shumë
//ugroocuw.net/4/3473483