SPORT

Trajneri francez i gёzohet kthimit tё Arbër Zenelit

Trajneri francez i Stade de Reims, David Guion, dhe futbollisti i kësaj skuadre, Tristian Dingome, janë shprehur të lumtur me kthimin e Arbër Zenelit në skuadër, pas lëndimit që e kishte mbajtur kosovarit tetë muaj jashtë fushës së blertë.

Ylli i Kosovës, Arbër Zeneli, ishte në qendër të vëmendjes gjatë konferencës së fundit të Stade de Reims, para ndeshjes së fundjavës kundër Brest në Ligue 1.

Zeneli, i cili ishte operuar për shkak të një lëndimi të rëndë të pësuar në qershor të vitit të kaluar gjatë ndeshjes së Kosovës kundër Malit të Zi, u kthye më në fund në Ligue 1 fundjavën e kaluar, kur luajti në pesë minutat e fundit të ndeshjes kundër Monacos, që përfundoi me rezultat 1:1.

“Edhe pse nuk luajti shumë, ai e bëri një kthim të mirë në ndeshjen kundër Monacos”, tha Tristian Dingome, të cilin e zëvendësoi kosovari të shtunën e kaluar.

Para kësaj ndeshjeje kundër Monacos, Zeneli kishte luajtur 45 minuta për ekipin e rezervave të Stade de Reims një javë më parë, më shumë se tetë muaj pasi ishte lënduar.

“Lëndimet si të Zenelit mund të marrin rreth shtatë ose tetë muaj për t’u shëuar. Ai rezultoi të ketë qenë në mes”, tha trajneri i Reims, David Guion, të cilit do t’i kishte pëlqyer që lojtari i tij ta kishte luajtur një ndeshje të dytë me rezervistët para se të kthehej te ekipi i parë, mirëpo nuk kishte asnjë ndeshje të caktuar për fundjavë.

“Arbrit  i duhen minuta lojë për t’u rikthyer në formë, por atij i duhet edhe durim, që nganjëherë mund ta humbë. Por, na takon neve ta mbështesim atë në mënyrën më të mirë të mundshme”, shtoi trajneri.

Për mbështetje, Zeneli – i cili u transferua në Reims gjatë afatit kalimtar të sezonit të kaluar dhe i cili kishte kontribuar me tri gola dhe tri asiste në 15 ndeshje të zhvilluara – mund të llogaris në Dingomen.

“Në rastet e tilla, ti duhet t’i besosh stafit mjekësor dhe të mos e kalosh asnjë fazë. Në këtë mënyrë do të jesh plot energji kur të kthehesh. Unë kam marrëdhënie shumë të mirë me Arbri’, tha Dingome.

“Lëndimi i tij është diskutuar shumë dhe ai më ka kërkuar këshilla sepse edhe unë kam pasur problem të ngjashëm. Por, ai është energjik, jo si unë. Mezi po presim që ai të kthehet në 100 përqindëshin e tij”. 

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.