Bota

Tragjike/ 13-vjeçari vdes i vetëm në spital nga koronavirusi, familjarët nuk arritën ta vizitonin

Nga raportimet e fundit, një 13-vjeçar në Londër është bërë viktima më e re e koronavirusit në Britani të Madhe.  

Ismail Mohamed Abdulwahab, nga Londra, vdiq dje në Spitalin King’s College, familjarët e të cilit nuk arritën ta vizitonin në mënyrë që të mos i ekspozoheshin transmetimit të COVID-19, raporton Daily Mail.

Burimi i njëjtë bën të ditur se i ndjeri nuk ka pasur ndonjë problem paraprak shëndetësor.  

Njoftimi për vdekjen e Ismailit është bërë nga një përdorues në faqen GoFundMe, të krijuar nga Kolegji Madinah, për të mbledhur para për funeralin e tij.  

Familja e 13-vjeçarit, i cili gjithashtu kohët e fundit humbi babanë e tij nga kanceri, nuk pranuan që të publikohej ndonjë fotografi e të ndjerit.  

Përgjatë ditës së sotme u shfaqën 381 vdekje nga koronavirusi në Britani të Madhe.  

Kjo po konsiderohet si dita më e rënduar për sa i përket aspektit numerik në Mbretërinë e Bashkuar.