Kosova

Tomë Gashi tregon se kur mund të fillojë gjykimi i Thaçit dhe shokëve të tij në Hagë

Tomë Gashi, avokat i njohur, ka shpjeguar procesin që do ta ndjekë Gjykata Speciale në Hagë, duke e marrë me mend edhe kohën që do t’i duhet mbrojtjes së të akuzuarve, për t’u përgatitur për këtë proces, shkruan Kosova.info

Pa marrë parasysh që avokatët paraqitën kërkesë për lirimin e z. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, nga paraburgimi, është shumë iluzore të besohet që gjyqtari i njëjtë që ka nxjerrë vendimin për paraburgosjen e tyre vetëm dy javë më parë, do ta ndryshonte vendimin dhe mendimin e tij, kaq shpejt!”; është shprehur Gashi për Kosova.info

Ai ka vijuar duke thënë se specialja nuk do t’i lirojë me kusht të akuzuarit në fjalë:

Unë mendoj që Gjykata Speciale në Hagë nuk do t’i lirojë me kusht që të mbrohen në liri, së paku deri në fillimin e gjykimit, e i cili fillim i gjykimit duket që do të jetë ose në verën e 2021 apo edhe me vonë për shkak të përgatitjes së mbrojtjes nga ana e avokateve, gjë që duhet të jetë krejtësisht e kuptueshme sepse kemi të bëjmë me akuza serioze, e për të cilat nuk mjafton vetëm të thuhet që: udhëheqësit e UÇK-së nuk i kanë kryer se këtë e dimë të gjithë që ata nuk i kanë kryer këto, dhe asnjë vepër tjetër penale të krimeve të luftës, por kjo duhet të dëshmohet në gjykatë para një trupi gjykues, dhe për këtë arsye avokatët me të drejtë janë shumë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm kur kërkojnë  kohë shtesë për përgatitjen e mbrojtjes.

Për sa i përket zgjatjes së procesit, Gashi ka thënë që kjo nuk mund të përcaktohet me saktësi.

Tani a do të filloi gjykimi kundër z. Hashim Thaçi dhe të tjerëve në verën e vitit 2021 apo në verën e vitit 2022, do të vendoset në të ardhmen. Por shpresojmë që fillimi i gjykimit të mos bëhet pa qenë mbrojtja e përgatitur 100%, që ta dëshmojë atë që të gjithë e dimë  se pjesëtarët e UÇK-së kurrë nuk kanë kryer krime të luftës kundër askujt, por janë viktimë edhe e neglizhencës së tyre, së paku një pjesë e tyre, dhe po e paguajnë çmimin e asaj që nuk do duhej të ndodhte kurrë, të formohet një Gjykate Speciale kundër vetvetes dhe që me Ligjin për Gjykatën Speciale, që e nxori Parlamenti i KS, nuk do ta kemi kurrë të akuzuar asnjë armik të pavarësisë së Kosovës, e që janë serbët, ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë, që kryen krime të tmerrshme në Kosovë dhe tani për tani nuk do ta kemi të akuzuar edhe vet shtetin e Serbisë për gjenocid ndaj ne shqiptareve, për shkak të neglizhencës së udhëheqësve politikë të deri tanishëm.

Megjithatë ai është optimist për të ardhmen e afërt. Meqë shpreson rikthimin e Albin Kurtit në skenë, i vetmi politikan i cili e ka kundërshtuar me tërë qenien këtë gjykatë dhe i vetmi i cili e ka pasur ndërmend ta padisë Serbinë për krimet e kryera në Kosovë.

“Shpresojmë që sa më shpejt që është e mundur të kemi zgjidhjen e vetme që do të na çoj përpara si shtet, e që janë zgjedhjet dhe me një qeveri të re, me legjitimitet qytetar të udhëhequr përsëri nga z. Albin Kurti, gjërat do të ndryshojnë sepse është koha e ndryshimeve në raport me Serbinë se kështu nuk mund të shkojmë më tutje, me ata të cilët na udhëhiqen për 21 vite dhe që na morën në qafë duke tentuar të na barazojnë para bashkësisë ndërkombëtare me kriminelë serbë, e që në nuk jemi të tillë.

Tani është koha që Kosovën ta udhëheqin njerëz të pa shantazhuar, të pa implikuar në pazare me Serbinë, për ta marrë dhe për të  mbetur në pushtet, se çka është boll, boll është!”, ka konkluduar avokati i njohur Gashi./Kosova.info/