Kosova

Tomë Gashi: Rezoluta për të formuar Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe, vetëm “fontanë dëshirash”

Avokati  Tomë Gashi, ka thënë se kërkesat e Kuvendit të Kosovës për të ngritur një gjykatë që do të gjykonte krimet serbe të luftës janë të parealizueshme.

Gashi, në emisionin “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës që dënon gjenocidin serb në Kosovë është një “fontanë dëshirash” e deputetëve të Kosovës.

“Nuk besoj se do të realizohet kjo rezolutë. Kosova nuk është një shtet i fortë pavarësisht se që nga viti 1999 jemi në anën ë drejtë të historisë. Idetë e tilla janë vetëm populiste dhe asgjë më shumë”.

Avokati është shprehur i bindur se këto ide nuk do të realizohen kurrë.

“Derisa institucionet tona merren me këso lloj idesh të cilat edhe atyre iu duken joreale, më e drejtë dhe e besueshme do të ishte sikur të forcohej zyra e Prokurorisë Speciale në Republikën e Kosovës pasi tani kemi vetëm tre prokurorë që merren me rastin e ndjekjes së personave të dyshuar për krime lufte”.

“Shefja e zyrës së Prokurorisë Speciale, zonja Drita Hajdari punon me dy prokurorë të rinj, edhe pse  numri do të duhej të ishte pesë. Besoj që shteti i Kosovës duhet ta forconte atë prokurori dhe t’i ndiqte të gjithë ata që janë të involvuar në krime lufte, e kur ne e dimë se serbët kanë vrarë në Kosovë më shumë se 15,000 civilë shqiptarë”.

Gashi ka thënë se e gjithë kjo po bëhet për shkak të mllefit që kanë qytetarët që asgjë nuk është bërë në këtë drejtim prej 20 vitesh.

“Për ide të tilla është tepër vonë… Kosova është shtet jashtëzakonisht i pafuqishëm për të çuar përpara këso lloj iniciativash për të formuar gjykata speciale”, tha ndër të tjera Tomë Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.