KULTURË

Mallkimet e Teatrit Kombëtar

Shkruan:  Sokol PLAKOLLI (Aktor – Regjisor i teatrit)
               Mallkimi vret për së gjalli tri gjenerata, ndërsa pasoja lë, në shtat gjenerata me radhë. Më pastaj gjithçka fillon nga e para. Por mallkimi, mallkim mbetet, mbetet shembull për gjenerata që vinë. Kam lexuar në mitologji e në legjenda për popujt e mallkuar, ku për shkak të mallkimit, njerëzit u shndërruan në majmun të urryer. Popullin e urryer ky mallkim e zuri nga se tempujt i shndërruan në arena orgjish. Madje ajo që më së shumti më ka trishtuar është fakti se, të parin që e kapë mallkimi është një “njeri i pa prishur” i cili jetonte indiferent në mesin e popullit të prishur, ai asnjëherë nuk i këshilloi as kundërshtoi ata të cilët tempullin e shndërruan në arenë orgjish. Ai u  godit i pari, e zuri mallkimi i ndërgjegjes së tij të fjetur. Nuk mundë të lë pa përmendur as Edipin dhe prindërit e tij, të cilët duke dashur të i ikin ballafaqimit me fatin, sjellin fatkeqësi të skajshme për vete dhe popullin mbarë. Më e vështira në gjithë këtë rrugëtim është arsyetimi i vetvetes, kur thyen pasqyrën dhe e shikon veten në sy. Ka njerëz të cilët tërë ditën shikohen në pasqyrë, por kurrë nuk kanë arritur ta shohin veten e tyre në sy. Jo rastësisht Hamleti i Shekspirit është kryevepra e kryeveprave botërore. Diku në kulminacionin e aktit të -IV- të Hamleti me zemër të thyer i thotë nënës së tij të përdalë: “S’të lë pa të vënë një pasqyrë syve, ku do të shohësh të zitë e zemrës sate”. Dhe pastaj mallkimit nuk mundë të i shpëtojë askush, që të pesë personazhet kryesore vdesin nga i njëjti helm. Por, jetët dhe vdekjet e tyre kanë dallime të mëdha.

              Sa herë kaloi para institucioneve tona, e veçanërisht para Teatrit Kombëtar, tmerrohem nga ndërgjegjja ime meskine.  Së fundmi në erupsion e sipër, kam paralajmëruar se do të hipë mbi kupolën e teatrit për të protestuar. Më kujtohen reagimi i parë si student në vitin 2006, për keqpërdorimet e festivalit studentor “Skena UP”. Pastaj viti 2011 kur themeluam asociacionin “Lista e zezë” dhe për herë të parë publikisht u dërgua në AKK dëshmi për vjedhjen sistematike të 18 mijë litra naftë nga sistemi i ngrohjes së TKK së deri te vjedhja e gozhdëve. Pastaj vjedhje e parasë publike  filloi të mos më bëjë më përshtypje, kur filluan ta vjedhin shpirtin e tempullit. Dhe në emër të artit, tempullin e shndërruan në tezgë përfitimesh personale e klanore.

              Nuk kaloi shumë kohë e vjedhja u shndërrua në model suksesi, ” alamet artistësh” konkurronin se kush po i vjedhë më mirë vepra artistike, që pastaj të i prezantonin si të tyre. Për çudi kjo dukuri në vend që të ndëshkohej, shpërblehej me çmime speciale për vjedhje të suksesshme.   Por kjo nuk është e tëra. Tash e sa vite Teatri Kombëtar po udhëhiqet nga “Hajnat e suksesshëm” dhe kjo tashmë është bërë trend. Nuk mundë të lë pa përmendur kur në vallen e shfrenuar kishte tendenca që në emër të bashkëjetesës e të paqes në tempull të i sjellin kriminelët. Dhe për çudi vazhdonte të mbretëroi heshtje kolektive. Këtu nuk mundë të mos jem konkret dhe të flas për fenomenin pa përmendur me emra e mbiemra “hajnat e suksesshëm kosmopolitan” dhe të bëmat e tyre. Kur në pozitën e Drejtuesit Artistik u emërua Agon Myftari (me plagjiaturë të verifikuar ndërkombëtarisht)  i pasuar nga Agim Sopi, Teatri Kombëtar u shndërrua në Bordel,  ku Jeton Neziraj e Kushtrim Koliqi realizuan shfaqje +18, shfaqje me gjuhë të skajshme banale, shfaqje ku aktorët bredhin lakuriq nëpër skenë, shfaqje ku me direktivë nga Beogradi fyhen simbolet tona kombëtare. Kjo nuk ndodhi një herë, as nuk ndodhi rastësisht, por ndodhi sistematikisht për pesë vite radhazi në TKK fyheshin vlerat kombëtare dhe promovoheshin anti vlerat. Kështu tempulli i quajtur Teatri Kombëtar u shndërrua në ambient të kontaminuar ku u bë gjithçka tjetër pos Artit.  Ndërsa regjisorët e këtyre orgjive të ndyra i sollën nga Serbia dhe i paguan shtrenjtë. Nga institucionet përgjegjëse nga MKRS, të njëjtit, në vend që të sanksionohen u shpërblyen. Së fundmi në konkursin të tej zgjatur me vite, konkursi për drejtues artistik u anulua për arsye banale, ndërsa në konkursin për Drejtor të Përgjithshëm u emërua një tjetër plagjiator e keqpërdorues i parasë publike. Është ky z. Naser Shatrolli i cili ua bënë rrafsh të gjithëve, veçanërisht ministrave e ministreshave, e për të cilin disa herë është raportuar në media e gjykata për keqpërdorim e plagjiaturë. Si duket tash pas pesë vitesh orgji artistike do të kthehemi te orgjia e vjedhjes së gozhdëve. 

Epo, nëse orgjive nuk do u ndalet turri, kam droje se kur mallkimi të bjer mbi ne, do ua kemi lakmi majmunëve të urryer!