Kombëtare

Tjetër ‘shuplakë’ franceze/ Macron kundërshton ‘fenë’ e zgjerimit

Një ditë më parë, Franca na dha një tjetër leksion në fushën e futbollit, edhe pse qeveria shqiptare ishte përgatitur për të dërguar një mesazh te presidenti Emmanuel Macron pas vetos për nisjen e negociatave. “Macron kundërshton ‘fenë’ e zgjerimit,” shkruan sot Liberation, një nga tre gazetat e mëdha franceze. Lexoni shkrimin më poshtë

Europa është një fe. Si e tillë, ajo ka dogmat dhe priftërinjtë e saj. Të largohesh prej tyre, rrezikon të marrësh përsipër blasfeminë, herezinë dhe përjashtimin. Emmanuel Macron e provoi këtë kur guxoi të bllokojë në samitin europian më 18 tetor, nisjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Presidenti i Republikës sfidoi një nga shtyllat e mendimit europian- atë të zgjerimit pafund të unionit.

Që prej atëherë, ata që mendojnë mirë për Europën, nga liderët e institucioneve e deri te shumica e mediave, e kanë dënuar. Kështu, presidenti në largim i Këshillit Europian, Donald Tusk, e kritikoi ashpër Emmanuel Macron më 13 tetor, duke e akuzuar se po dobëson BE-në. “Nuk do të ketë Europë sovrane pa një Ballkan të qëndrueshëm, të integruar me pjesën tjetër të kontinentit. Nuk është e nevojshme të jesh historian për ta kuptuar këtë,” tha ai.

Reformim i procesit

I fundit që guxoi të vinte në dyshim politikën e zgjerimit ishte Hubert Vedrine, asokohe ministër i Punëve të Jashtme. Në vitin 1998, në Jork, ai pyeti 14 kolegët e tij nëse duhej të ngadalësonin ritmin, pasi Unioni nuk ishte institucionalisht i gatshëm që të mbështeste anëtarësimin në bllok të dhjetë vendeve të Europës Qendrore. Reagimi ishte unanim dhe agresiv; partnerët e tij, veçanërisht gjermanët dhe britanikët, e akuzuan për mungesë solidariteti, egoizëm dhe mungesë përgjegjësie për të paguar një borxh historik. Pas largimit, Vedrine u tha disa gazetarëve: “Guxova, por nuk do e bëj më”. Në fakt, që nga ajo datë, zgjerimi është bërë teleologjik.

Sidoqoftë, asnjë nga problemet e ngritura nga kalimi prej 15 në 28 shtete anëtare (dhe së shpejti në 32 apo 35) nuk është zgjidhur. Siç shpjegoi Emmanuel Macron, “nëse nuk funksionon me 28, pse duhet të funksionojë me 30?”. Ai e vendosi kështu Gjermaninë, një nga përkrahësit më të ashpër të zgjerimit, përpara përgjegjësive në një kohë kur ajo dëshiron të zvogëlojë madhësinë e buxhetit për BE dhe kundërshton çdo reformë institucionale. Një dokument jozyrtar- nga dokumentet formale që shërbejnë si bazë për negociatat- i është dërguar javën e shkuar partnerëve. Franca sqaron se nuk dëshiron të bllokojë zgjerimin përgjithmonë, por të marrë një proces reformimi përpara se të hapë dritën jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Integrim gradual

Në veçanti, Franca dëshiron që negociatat të vazhdojnë jo me ‘kapituj’, por me ‘blloqe koherente politikash’, në mënyrë që të lejohet vendi kandidat të marrë pjesë në politikat sektoriale dhe fondet ad-hoc, përfshirë fondet strukturore: duke u integruar gradualisht në Union teksa teston aftësinë për të marrë përsipër detyrimet. Vetëm nëse arrin të zbatojë këto politika dhe të praktikojë ‘përputhjen e vërtetë ekonomike dhe sociale’, ai vend mund të negociojë një bllok të dytë. Parisi gjithashtu dëshiron që procesi të jetë i kthyeshëm nëse një shtet nuk respekton angazhimet e tij. A do jetë Macron një Luter në ndërtimin e komunitetit?

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.