SPORT

Tifozët e Ronaldos tallen me Messin pas eliminimit nga Kupa e Amerikës

Rivaliteti Cristiano Ronaldo – Lionel Messi u ringjall edhe një herë në rrjetet sociale pasi që Lionel Messi nuk arriti të kualifikohet në finale të Kupës së Amerikës me Argjentinën, pasi që humbi me rezultat 2:0 kundër Brazilit në gjysmëfinale.

Lionel Messi nuk arriti ta lërë shenjën e vet në ndeshjen e mbrëmshme pasi që Brazilit i mjaftuan golat e Gabriel Jesusit dhe Roberto Firminos për ta arritur finalen e Kupës së Amerikës. Momenti më i mirë për Messin ishte ai rreth minutës së 60-të kur goditja e argjentinasit u mbrojt nga shtylla.

Megjithatë, ndeshja nuk përfundoi pa incidente kontroverse pasi që gjyqtari nuk e përdori VAR-in për disa momente të dyshimta gjatë ndeshjes. Një penallti për Argjentinën, kur Sergio Aguero u sulmua pa top nga Dani Alves, nuk u akordua dhe incidenti as nuk u shikua nga VAR-i.

Në vend të penalltisë, Brazili e shfrytëzoi atë rrëmujë dhe e gjeti menjëherë golin e dytë, që ishte edhe goditja e fundit për Argjentinën. Tani, Brazili e pret përballjen mes Perusë dhe Kilit për ta kuptuar kundërshtarin në finale.

Pasi që pritja e Messit për trofeun e parë me Argjentinën vazhdon edhe më tutje, tifozët e Cristiano Ronaldos i shfrytëzuan llogaritë e tyre në rrjetin social Twitter për t’u tallur me yllin e Barcelonës.

Shumica e postimeve kishin të bëjnë me faktin se Ronaldo i ka fituar dy trofe të mëdhenj me Portugalinë – EURO 2016 dhe Ligën e Kombeve së fundi – ndërsa Messi është ende pa asnjë trofe në skenën ndërkombëtare.

“Kurrë mos e krahasoni G.O.AT tim (Greatest Of All Time – më i miri i të gjitha kohëve) me lojtarë të tjerë. Cristiano Ronaldo për Portugalinë 2:0 Lionel Messi për Argjentinën. GOAT im. Fundi. Më zgjoni kur Messi të ketë fituar trofe me Argjentinën dhe mund të fillojmë”, shkuan @Indianaldo.