Gjeopolitikë

Thomas: Konflikti i hapur ShBA-Iran nuk ka gjasa

Kaleigh Thomas, eksperte për Lindjen e Mesme pranë Qendrës për Sigurinë e Re Amerikane, pret që Irani t’i përgjigjet vrasjes së komandantit të tij ushtarak me një kombinim veprimesh, përfshirë: sulmet kibernetike, sulmet ndaj rafinerive të naftës në rajonin e Gjirit apo edhe ato ndaj zyrtarëve amerikanë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Thomas thotë se konflikti i hapur midis Iranit dhe ShBA-së nuk duket se ka gjasa në këtë fazë.

Por, ajo tërheq vërejtjen se vrasja e komandantit mund ta përshkallëzojë sjelljen e Iranit në afat më të gjatë.

Komandanti i forcave elitë të Iranit, Qasem Soleimani, është vrarë në një sulm me dron të Shteteve të Bashkuara, në Irak, më 3 janar.

Uashingtoni e ka fajësuar Soleimanin për vrasjen e trupave amerikane në Irak dhe e ka akuzuar atë për komplot për sulme të reja pak para se të vritej.

Soleimani ka udhëhequr milicitë iraniane në konfliktet në Siri, Irak, Liban dhe Jemen.

Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar si “terrorist”.

Radio Evropa e Lirë: Irani tashmë ka nisur të hakmerret për vrasjen e komandantit të tij ushtarak, Qasem Soleimani, duke sulmuar bazat ushtarake amerikane në Irak. Sa është e fuqishme ushtria e Iranit?

Kaleigh Thomas: Irani ka kapacitete të fuqishme asimetrike, sidomos me forcat Kuds, që janë udhëhequr nga Soleimani përpara se të vritej, javën e kaluar. Fuqia e tyre shtrihet kryesisht brenda rajonit. Irani ka investuar po ashtu shumë në programin raketor, gjatë dekadës së fundit, dhe unë pres që ai t’i përdorë këto dy elemente si përgjigje parësore për vrasjen e Soleimanit.

Radio Evropa e Lirë: Ndërsa përmendet fuqinë e tij…ku qëndron dobësia e tij?

Kaleigh Thomas: Dobësia e tij qëndron tek ushtria konvencionale, e cila nuk do të ishte në gjendje të përballonte fuqinë e ushtrisë amerikane.

Radio Evropa e Lirë: A mund të na thoni më shumë, si mund të krahasohen ushtritë e këtyre dy vendeve?

Kaleigh Thomas: Në këtë fazë, një konflikt i hapur nuk duket se ka gjasa. Ushtria e Shteteve të Bashkuara është shumë më e fuqishme se ajo e Iranit. Por, mendoj se shqetësim për Shtetet e Bashkuara paraqesin kapacitetet asimetrike të Iranit, rrjetet e tij të milicive, marina e Gardës së tij Revolucionare… Këto kapacitete, edhe sikur të humbiste një luftë fillestare apo një konflikt më të madh, do të mund t’i mundësonin atij që të shkaktonte probleme në vitet që vijnë.

Radio Evropa e Lirë: Cilët mund të jenë skenarët e ardhshëm?

Kaleigh Thomas: Irani dëshiron një përgjigje për vdekjen e Soleimanit, e cila ka qenë një goditje e madhe për të. Ka gjasa të shohim një kombinim të përgjigjeve. Potencalisht edhe sulme kibernetike, që dyshoj se do të jenë pjesa kryesore e hakmarrjes.

Irani po ashtu mund të rrisë përdorimin e milicive shiite, sidomos në Irak. Pastaj mund të ketë edhe sulme në infrastrukturën e naftës apo në caqe më të buta në rajonin e Gjirit. Mendoj se në tryezë është edhe sulmi ndaj një udhëheqësi amerikan në rajon, sidomos një zyrtari ushtarak. Por, mendoj se një sulm i tillë do të kërkonte kohë më të gjatë për planifikim.

Vrasja e Soleimanit do ta ndryshojë mënyrën e të menduarit të Iranit edhe në afat të gjatë dhe ai do të nisë të mendojë dhe të planifikojë se si t’i shkaktojë ShBA-së kosto më të lartë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të bëjë Irani përveç atyre që ka bërë? Ai ka sulmuar baza ushtarake, ka rrëmbyer të huaj, ka sulmuar rafineri të naftës. Çfarë do të ishte ajo që do të provokonte përshkallëzim të situatës?

Kaleigh Thomas: Shënjestrimi i civilëve dhe diplomatëve amerikanë. Po ashtu edhe i trupave amerikane. Sa më shumë trupa amerikane që vriten, reagimi i administratës (së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald) Trump do të jetë më i madh. Kjo është një nga gjërat e pakta që i ka bërë të qarta presidenti Trump.

Irani do të hedhë më shumë raketa, me përpikëri më të madhe, për të shkaktuar dëme më të mëdha. Sulmet e Iranit në rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, në muajin shtator, kanë qenë një paralajmërim. Ai mund të kryejë lehtësisht sulme më të mëdha që mund të ndikojnë vërtet në çmimet e naftës – çfarë do të mund të ishte edhe në interesin e tij.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik që Irani po ndjek një përgjigje bërthamore?

Kaleigh Thomas: Irani ka njoftuar se do të ndalojë së zbatuari kufizimet në programin e tij bërthamor, të parapara me marrëveshjen bërthamore (të vitit 2015).

Në muajt e ardhshëm do të shohim se sa do ta çojë përpara programin bërthamor. Kjo do të mund t’i rrisë edhe më shumë tensionet dhe ta detyrojë ShBA-në të ndërmarrë veprime të tjera.

Lindja e Mesme mund të zhytet në kaos më të thellë

Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thoshte përshkallëzimi i situatës për Lindjen e Mesme dhe pjesën tjetër të botës?

Kaleigh Thomas: Përfundimisht do ta çonte një rajon të komplikuar në kaos edhe më të thellë. Do të kishte implikime jo vetëm për vendet e Gjirit, por edhe për Irakun, Sirinë, për praninë e trupave amerikane atje. E kemi parë që edhe sulmi në Irak, që ka vrarë Soleimanin, ka vënë në pyetje të ardhmen e trupave amerikane atje.

Radio Evropa e Lirë: Frika për Luftën e Tretë Botërore ka qenë një frazë që ka marrë hov në mediat sociale brenda natës. A ka mundësi për rrëshqitje në një luftë të tillë?

Kaleigh Thomas: Mendoj se Lufta e Tretë Botërore është një ekzagjerim. Ajo i referohet përfshirjes së një numri të madh të fuqive të jashtme dhe unë nuk mendoj se ato janë të gatshme të përfshihen në konflikt të drejtpërdrejtë midis Iranit dhe SHBA-së.

Radio Evropa e Lirë? A mund t’i ketë Irani Rusinë dhe Kinën në anën e vet?

Kaleigh Thomas: Nuk mendoj se Rusia dhe Kina, kur bëhet fjalë për Iranin, do të mbështesin ShBA-në. Por, ato po ashtu po i balancojnë çështjet e veta me SHBA-në. Nuk mendoj se ato do të nxitojnë për të mbështetur Iranin. Ato do t’i vazhdojnë marrëdhëniet e tyre me Iranin, por nuk shoh ndonjë ndryshim drastik të natyrës së tyre në muajt e ardhshëm.