Shpallje & Publikime

Thirrje për projekte kulturore-artistike për OJQ dhe Individ

64x64 kosovo logo

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 

PËRSHKRIMI

Thirrje publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për projektet kulturore – artistike për OJQ dhe Individ për vitin 2021 

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit / Departamenti i Kulturës i fton organizatat e regjistruara si OJQ (sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asociimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar diaspora), si dhe Individët, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës që të aplikojnë për mbështetje financiare për projektet-idetë me karakter:

  • Profesional, të cilat me kualitetin e tyre formal dhe përmbajtësor i respektojnë standardet krijuese europiane dhe botërore;
  • Promovues, të cilat kanë për qëllim paraqitjen dhe integrimin e artistëve vendor në skenën artistike ndërkombëtare;
  • Stimulues, të cilat kanë për qëllim evidentimin e talenteve të reja me ide të veçanta kreative;
  • Tradicional, përmes të cilave do të promovohen vlerat kulturore;
  • Inovativ dhe kreativ, të cilat me formën, përmbajtjen, frymën dhe mënyrën e realizimit të tyre paraqesin risi për ambientin krijues;
  • Kritik, të cilat me formën dhe përmbajtjen e tyre nxisin debat dhe diversitet artistik;
  • Projektet lidhur me politikën e diversitetit kulturor.

OJQ-të dhe Individët, në përputhje me këtë ftesë publike mund të aplikojnë me projektet/programet e tyre për promovimin e kulturës, në fushat: kinematografi, teatër, muzikë, arte vizuele, industri kreative, diversitet kulturor, diplomaci kulturore, aktivitete letrare, bibliotekari.

  • Shuma e mbështetjes financiare për projektet e OJQ-ve mund të jetë maksimum deri në 20,000.00 Euro.
  • Shuma e mbështetjes financiare për projektet e Individëve mund të jetë maksimum deri në 5,000.00 Euro.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve është 30 ditë kalendarike nga data e publikimit të thirrjes dhe përfundon me datën 4 Mars 2021, në ora 16:00.

Aplikacionet e dorëzuara pas këtij afati nuk do të pranohen.

Kriteret e përgjithshme për OJQ-të:

Për t’u kualifikuar për mbështetje financiare publike, aplikuesit duhet të plotësojnë kriteret e përgjithshme minimale të përcaktuara si në vijim:

  • të jenë të regjistruar si OJQ sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi për lirinë e asociimit në organizata jo-qeveritare në Republikën e Kosovës apo në shtetin ku është e koncentruar diaspora;
  • të jenë të pajisur me NUI (Numri Unik Identifikues) nga ATK, sipas kërkesave të legjislacionit tatimor të Republikës së Kosovës, përkatësisht dokumentacionin ekuivalent sipas legjislacionit të shtetit përkatës për OJQ-në e huaj;
  • të kenë kryer të gjitha detyrimet nga mbështetja financiare paraprake, nëse kanë përfituar nga burimet publike të financimit;
  • të mos kenë pranuar mjete nga burime tjera të financimit për të njëjtat aktivitete; dhe
  • të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit, përkatësisht përfaqësuesve/udhëheqësit të aplikuesit dhe organizatës buxhetore apo institucionit publik, siç parashihet me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.
  • Të dëshmojnë që nuk kanë obligime tatimore (nga ATK).

Kriteret e përgjithshme për Individët:

  • të kenë kryer të gjitha detyrimet nga mbështetja financiare paraprake, nëse kanë përfituar nga burimet publike të financimit;
  • të mos kenë pranuar mjete nga burime tjera të financimit për të njëjtat aktivitete; dhe
  • të mos ekzistojë ndonjë konflikt interesi në mes të aplikuesit, përkatësisht përfaqësuesve/udhëheqësit të aplikuesit dhe organizatës buxhetore apo institucionit publik, siç parashihet me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

Në rast të dështimit për të përmbushur ndonjërin nga kriteret specifike, aplikacioni do të konsiderohet i pa kompletuar dhe si i tillë nuk do të kualifikohet për mbështetje financiare.

Kriteret e vlerësimit:

Me rastin e vlerësimit të projekt-propozimeve, Komisioni do të vlerësojë me sa vijon:

  • a posedon OJQ-ja, respektivisht Individi, kapacitete profesionale për të kryer aktivitetet e planifikuara të projektit /programit (a kanë resurset e duhura për zbatimin e projektit, si dhe njohuri në lidhje me çështjet që trajtohen në këtë thirrje)?
  • a posedojnë kapacitete të menaxhimit të mjaftueshme OJQ-ja dhe Individët (duke përfshirë personelin, pajisjet për të udhëhequr me projektin)?
  • a është i përcaktuar ekipi i projektit dhe detyrimet e anëtarëve të ekipit?
  • sa relevant është projekt-propozimi për qëllimet dhe fushat e ftesës publike (a ndërlidhet projekti me aktivitetet e parapara me politikat e fushës, të cilat i mbulon ftesa publike?
  • a janë objektivat e projektit/programit të përcaktuara në mënyrë të qartë dhe realisht të arritshme?
  • a janë aktivitetet e projektit / programit të qarta, të arsyeshme, të kuptueshme dhe të zbatueshme?
  • a janë kostot e projektit/programit reale në lidhje me rezultatet specifike dhe kohëzgjatjen e pritshme të projektit?
  • a janë kostot e projektit në përputhje me aktivitetet e planifikuara të projektit/programit?

OJQ-të dhe Individët mund të aplikojnë vetëm me një (1) projekt në kuadër të kësaj ftese publike. Periudha e zbatimit të projektit është më së largu deri me 31 dhjetor 2021.

Të drejtë aplikimi me projektet e tyre kanë OJQ-të dhe Individët që dëshmojnë se programi i tyre i punës është i fokusuar në fushën e promovimit të kulturës. OJQ-të dhe Individët duhet po ashtu të kenë kryer transaksionet financiare në mënyrë transparente sipas legjislacionit në fuqi, në përputhje me rregullat e kontabilitetit, si dhe të kenë përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj ofruesit të mbështetjes financiare dhe të gjithë ofruesve tjerë të mbështetjes financiare publike.

Para nënshkrimit të kontratës, OJQ dhe Individi duhet të paraqesin prova se personi përgjegjës (menaxheri) në OJQ dhe Individi nuk janë nën hetime për vepra penale, si dhe prova se OJQ, respektivisht Individi ka zgjidhur çdo çështje të hapur rreth pagesës së kontributeve dhe tatimeve të papaguara, nëse është e aplikueshme.

Propozimet do të dorëzohen vetëm në formularët e paraparë, të cilat së bashku me Udhëzimet për Aplikantët, janë në dispozicion në ueb-faqen e MKRS-së: www.mkrs-ks.org. Aplikuesit që nuk përdorin aplikacionin adekuat të publikuar në ueb faqen e MKRS do të refuzohen.

Dokumentet e kompletuara duhet të dërgohen personalisht ose me postë, në dy kopje fizike (të shtypur), një për Arkivin e MKRS-së dhe një për Departamentin e Kulturës, në adresën e mëposhtme:

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit
Sheshi Nëna Terezë; Zyra e Arkivës, Nr. 22;
10000, Prishtinë, Republika e Kosovës,

Aplikacionet personalisht mund të dorëzohen edhe në zyrën e MKRS-së në Prizren.

Procesi i pranimit, hapjes dhe shqyrtimit të aplikacioneve, vlerësimit të aplikacioneve, kontraktimi, dhënia e fondeve, koha dhe mënyra e parashtrimit të ankesave, trajtimi i dokumenteve dhe kalendari tregues i zbatimit të ftesës është i detajuar në Udhëzimet për aplikuesit.

Do të konsiderohen për mbështetje financiare vetëm projektet që janë pranuar brenda afatit të paraparë me këtë ftesë publike, të cilat i përmbushin plotësisht kushtet e përcaktuara të ftesës publike.

Të gjitha çështjet që lidhen me ftesën publike mund të sqarohen vetëm në mënyrë elektronike, duke dërguar e-mail në adresën: [email protected] dhe [email protected]

⇒ Shpallja e plotë.