KULTURË

Thëniet e diktatorëve koreanoveriorë stolisin bibliotekën kombëtare

Ka tre ditë që në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita “Gardianët e Parajësës ku me anë të fotografive paraqiten momente e dukuri të përditshmërisë në Korenë e Veriut, shkruan Gazeta Express.

Lajmin për hapjen e kësaj ekspozite e kanë bërë të ditur përmes një njoftimi publikuar në Facebook në faqen zyrtare të Bibliotekës.

“Kompania kinematografike Traavik.Info, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” ka hapur të enjten ekspozitën “Gardianet e Parajses” pas prezantimit premierë të ekspozitës në qytetin e Gjirokastrës.

Ky instalacion me fotografi, paraqet momente e dukuri të përditshmërisë në Korenë e Veriut që plotësojnë imazhin e publikut – tashmë të njohur nga një narrativë statike – për një vend që, sipas artistit Traavik, mund të ofrojë më shumë se sa stereotipet e ideologjitë e njohura botërisht.

Regjisori i famshem norvegjez, Morten Traavik, është pikërisht karakteri që me platformën dhe prirjet e tij – perkundër të qenit i rritur në një prej shteteve më demokratike në botë dhe me diversitet kulturor e etnik – arrin të njohë, të interpretojë përmes filmit, dhe ta perceptojë më thellësisht – thuajse pa gjykime, nje sistem totalitar”, thuhet në njoftimin e publikuar.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës tha se duke e ditur edhe kontekstin e një të kaluare të Kosovës, jo pak të ballafaquar me totalitarizmin e cenzurën, ai vendos të sjellë këtu në Prishtinë një ndër projektet e tij më të suksesshme – ekspozitën “Gardianët e Parajsës”.

Ekspozita u bë e ditur se do të qëndrojë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës deri më 11 nëntor 2019.

Për këtë temë ka reaguar sot gjatë ditës përmes Facebook-ut filozofi Blerim Latifi.

I njejti ka shkruar se nuk kishte besuar fillimisht kur iu ishte thënë se një pankartë e madhe me thënien e Kim Jong Ilit është varur në murin e Bibliotekës Kombëtare.

“Më tha një shok, por nuk i besova! Shkova vetë ta shikoj dhe ishte e vërtetë. Një pankartë e madhe me thënien e Kim Jong Ilit, ish diktatorit komunist të Koresë së Veriut dhe babait të diktatorit të tanishëm Kim Jong Un, ishte e varur në murin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”. Por, e keqja nuk soste këtu: në brendi të bibliotekës ishin vendosur dy fotografi të Kim Jong Ilit. Thash më vete : jam në ëndërr apo çfarë po ndodhë? Jo, nuk është ëndërr! Është realitet, në Kosovën e 5 nëntorit të vitit 2019, në institucionin, i cili është themeluar për t’i kontribuar kulturës dhe lirisë, promovohet njëri nga diktatorët më ndyrë që ka njohur bota”, ka thënë Latifi./GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published.