Kombëtare

Themelorja e Pejës kërkon që të përjashtohet nga rigjykimi i Naser Pajazitajt, lënda kalon në Gjykatën e Ferizajt

Gjykata Themelore e Pejës ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që të përjashtohet nga procesi i rigjykimit të Naser Pajazitajt, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitaj.

Apeli me aktvendim këtë lëndë e ka kaluar për Gjykim në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

Siç merr vesh gazeta, arsyetimi i Gjykatës Themelore në Pejë për tu përjashtuar nga ky rast ka qenë fakti se gjithë gjyqtaret e departamentit përgjegjës kanë marrë pjesë në gjykimin e këtij rasti.

“Kërkesa e Gjykatës Themelore në Pejë-GJA nr 523/19 dt. 27.12.2019 në lëndën PKR. Nr 82/19, ashtu që lënda penale ndaj të pandehurit Naser Pajazitaj, për vepër penale ‘vrasje e rëndë’ dhe veprës “mbajtja në pronësi, kontrolle apo posedim të paautorizuar të armëve” i caktohet Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, për të vendosur lidhur me zhvillimin e procedurës së mëtejme në këtë çështje penale”, thuhet në aktvendim.

Fillimisht Pajazitaj ishte liruar nga veprat që i ngarkoheshin. Megjithatë Gjykata e Apelit e pati prishur vendimin e Gjykatës se Pejës dhe ënda ishte kthyer në rigjykim.

Për të dytën herë Gjykata e Pejës e pati dënuar me burgim të përjetshëm. Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë në Gjykatën e Apelit, por mbrojtja e të akuzuarit Pajazitaj, përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë janë ankuar në Gjykatën Supreme. Kjo instancë e ka aprovuar ankesën e mbrojtjes së Pajazitajt dhe rasti sërish është kthyer në rigjykim.