Themelohet Komisioni Hetimor Parlamentar për subvencionimin e teksteve dhe mjeteve shkollore

Me 61 vota për dhe 4 kundër, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

Kjo temë solli përplasje në Kuvend gjatë ditës në mes të deputetëve të opozitës, pozitës dhe ministrave të Qeverisë.

Opozita akuzoi ministren e Arsimit, Arbërie Nagvacin, për keqpërdorime dhe manipulime, gjatë procesit të subvencionit të teksteve dhe mjeteve shkollore.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, në seancën plenare të së enjtes në Kuvend ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për krim të organizuar në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore.

Krastrati i ka akuzuar Mihalin dhe Nagavcin për “krim të organizuar” në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore.

“Kjo është logoja e Albasit. Këtu në librin Aventurat e Verës është autore Arbërie Nagavci. Pra, Albasi e ka pagu këta”, ka deklaruar Kastrati.

Ai gjithashtu ka akuzuar qeverinë për shkeljen e ligjit për ndarjen buxhetore, duke thënë se ka pasur manipulime për tekstet shkollore në favor të një shtëpie botuese.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci tha se mezi presin për themelimin e këtij komisioni, sipas saj për të hetuar të gjitha keqpërdorimet që e kanë ndodhur ndër vite kur partitë e tjera kanë udhëhequr Ministrinë e Arsimit.

“Ndonëse kërkesa e PDK-së për themelimin e këtij komisioni hetimor parlamentar është e bazuar krejtësisht në të pavërteta dhe në pasaktësi, unë personalisht, gjitha kabineti im dhe gjithë kolegët në ministri, mezi presim themelimin e këtij komisioni dhe të flasim për këtë temë sepse po, duhet hetuar të gjitha abuzimet për keqpërdorime që kanë ndodhur ndër vite, ndërkohën kur PDK-ja udhëhiqte më Ministrinë e Arsimit. Por, jo vetëm PDK-ja”.

“Në arsyetimin tuaj në kërkesën që e keni dërguar për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar ju keni thënë se kemi dështuar në furnizimin me tekste shkollore për nxënësit. Kjo është e pavërtetë, ne nuk kemi asnjë raport, asnjë kërkesë, asnjë ankesë nga asnjë drejtori e arsimit e cila thotë se nuk janë furnizuar fëmijët apo se kanë mungesë të teksteve mësimore”, tha Nagavci.

Go to TOP