Bota

Thahet lumi më i gjatë në Australi

Rrjedha më e gjatë ujore në Australi, lumi Darling, është duke u tharë dhe problemet e para kanë filluar të shfaqen.

Lumi historikisht ka qenë burim uji për fisin autokton të Australisë, por viteve të fundit ka përjetuar thatësinë më të madhe të shekullit, transmeton KTV.

Qëkur filluan matjet, vlerësohet se dy vitet e fundit janë më të thatat që prej vitit 1900 dhe kësaj thatësie nuk shihet se do t’i vijë fundi.

Në qytetin Meninde, 830 kilometra në perëndim të Sidney, banorët fajësojnë qeverinë për këtë thatësi. Ata thonë se qeveria po merr ujë nga lumi për të bërë ujitje nëpër qytete.

“Lumi ishte burim i ujit dhe ushqimit tonë. Ishte krejt jeta jonë”, thotë Patricia Doyle, anëtarja më e vjetër e fisit aboriginal në Menindee që krijoi liqene të përkohshme për të ruajtur ujin që vinte nga lumi.

E banori tjetër Peter Cox, thotë se uji i lumit është dërguar në jug të Australisë.

“Ujin e lumit e kanë dërguar në jug të Australisë që po e frytëzon për ujitje. Është një skenar i çmendur dhe tmerrues për të gjithë ne”, thotë Cox.

Në gjuhën aboriginale, lumi quhet Barka ndërsa fisi i Doyle quhet Barkinxhi që do të thotë “njeri i lumit”.

Barka është reflektim i jetës kulturore, sidomos për qytetet siç është Meninde që një e treta e 550 banorëve janë të fisit aborgjinalë që përbëjnë gati tre për qind të popullsisë në Australi.

Lumi Darling pritej të ngjallej me shirat e muajit tetor, por kjo nuk ka ndodhur deri më tani, ndërsa është parashikuar se do të mbajë një verë e nxehtë dhe e thatë.

Qeveria australiane ka krijuar një grup vlerësues për menaxhimin e ujërave në rajon dhe do të ndëshkojë ata që e përdorin ujin për ujitje ilegale.

E fisi aborgjinal synon të mbajë protesta dhe një festival përgjatë rrjedhës me qëllim që të “shërojë lumin” dhe të kthejë ujin në të.