Kosova

Thaçi tregon pse u tmerrua në Berlin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se në Samitin e Berlinit ishte tmerruar pasi krerët evropianë nuk ishin koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me planin e bisedimeve për Kosovën.

Sipas Thaçit, nuk mundet të ketë zgjidhje të krizave në Ballkan dhe në Kosovë pa pjesëmarrjen e SHBA-ve.“Ne zhvilluam takim me ambasadorin amerikan në Berlin dhe me Mogherinin dhe nga këto takime ishte e qartë që me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin koordinuar. Pa koordinim me SHBA-në, nuk mund të ketë as marrëveshje. Pa koordinim me SHBA-në nuk ka mundur të ndodh asgjë me rëndësi në rajonin tonë”, ka thënë Thaçi, në emisionin “Open” në Top Channel.

Ai ka thënë se para dhe pas çdo takimi në Bruksel, gjithmonë ka pasur konsultime me SHBA-në.

Më tej presidenti Thaçi ka thënë se tash e dy dekada Serbia ka humbur në tavolinë me Kosovën.

“Kompromis me territor nuk bëjmë kurse kërkesa për korrigjim, është respektim i kërkesave dhe aspiratave të popullsisë shqiptare në Luginën e Preshevës”, tha ai.

Thaçi ka hedhur poshtë disa pretendime rreth takimit në Berlin.

“Në Berlin nuk është diskutuar asnjë ide e re dhe nuk është mohuar as varrosur asnjë ide, që është diskutuar deri më tani. E vetmja e vërtetë e Berlinit janë konkluzionet që kanë dalë”, ka thënë Thaçi.