Kosova

Thaçi takoi komisionarin Hahn: Heqja e vizave rikthen besimin qytetar në Bashkimin Evropian

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vazhduar takimet me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian.

Presidenti Thaçi ka zhvilluar një takim edhe me Komisionarin për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, me të cilin ka biseduar për liberalizimin e vizave, dialogun për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për perspektiven e anëtarësimit të Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Presidenti Thaçi ka thënë se mungesa e një perspektive të qartë për integrim po krijon hapësirë për ideologji të rrezikshme antievropiane në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Qytetarët e Kosovës, si populli me proevropian, kanë filluar të humbasin durimin. Një vendim për vizat në këtë vit dhe një zotim për dinamikë të re në integrimet evropiane, do ta rikthente besimin e humbur në BE-në”, ka thënë ai.

Në këtë takim është biseduar edhe për domosdoshmërinë e tejkalimit të mosmarrëveshjeve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për nevojën e arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Kosova.info/